Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shënoi 18 vite të punës në shërbim të komunitetit të biznesit. Gjatë gjithë këtyre viteve, Oda Amerikane, së bashku me anëtarët e saj ka mbetur e përkushtuar për përmirësimin e mjedisit të biznesit në Kosovë dhe krijimit të mundësive për nxitjen e investimeve të jashtme dhe të brendshme, si dhe të promovimit të ndërmarrësisë.
Jeffrey M. Hovenier, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës tha se gjatë 18 viteve të fundit, Oda Amerikane ka krijuar reputacionin e saj si një shtyllë e pazëvendësueshme e komunitetit të biznesit. Ambasadori Hovenier theksoi rëndësinë kritike të organizatave si Oda Amerikane në avokimin e nevojave të sektorit privat dhe nevojës së marrjes në konsideratë të këtij avokimi nga ana institucioneve qeveritare. Më tej, ai tha se sektori privat është shtytësi kryesor i rritjes ekonomike.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se vizioni ynë afatgjatë është që Kosova të bëhet vendi më prosperues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se Kosova ka diçka që vendet e rajonit nuk e kanë, dhe ajo është komuniteti i fortë i biznesit nga mërgata jonë, sidomos në Amerikë.
“Si Qeveri, dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe odat tjera, synojmë të krijojmë politika dhe ambient të të bërit biznes që mundëson rritje të hovshme dhe të qëndrueshme të Investimeve të Huaja Direkte, eksportit, konkurrueshmërisë së kompanive vendore, startupeve, si dhe infrastrukturës që mundëson rritjen e këtyre të mësipërmeve”, tha kryeministri Kurti.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv, tha se përgjatë 18 viteve të ekzistencës së saj, Oda Amerikane është organizata më aktive e biznesit në vend me më shumë se 100 aktivitete publike në vit, derisa është e renditur lart edhe në mesin e 46 odave amerikane të Evropës. Ai tha se derisa organizata angazhohet vazhdimisht për qasje inovative dhe aktivitete kreative, ajo që do të mbetet e pandryshuar është përkushtimi dhe pasioni për t’i shërbyer sektorit privat.
Afrore Rudi, presidente e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, tha se marrëdhënia profesionale e Odës Amerikane dhe anëtarëve të saj është çelësi për forcimin e zhvillimit të sektorit privat. Ajo tha më tej se është një krenari e madhe që 18 vjet më vonë Oda Amerikane vazhdon të mbetet e suksesshme, duke përqafuar gjithmonë vlerat e mira të organizatës. /2LONLINE/