Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se organizatat e pavarura publike duhet të jenë të mbrojtura nga ndikimi politik.
Në këtë aspekt, Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për emërimin e udhëheqësisë së re të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në kundërshtim me rekomandimin i cili ka pasuar një proces transparent dhe meritokratik të rekrutimit.
Pavarësisht mbështetjes që ofrohet për procesin e rekrutimeve publike, Kosova vazhdon të ballafaqohet me emërime në pozita udhëheqëse publike, të individëve të cilët nuk e kanë ekspertizën e nevojshme profesionale dhe nuk demonstrojnë sjellje në pajtim me ligjin dhe standardet më të larta etike.
Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me faktin se deputetët e Kuvendit mbështetën vendimin e tyre në nepotizëm në vend të profesionalizmit, kështu që u bënë thirrje atyre që të vlerësojnë meritokracinë në vend të lidhjeve politike, për të mirën e qytetarëve të Kosovës.