Oda e Afarizmit të Kosovës shpreh shqetësim për vonesat e marrjes së vendimit të ndarjes së mjeteve financiare për bizneset dhe punëtorët dhe kërkon nga Qeveria që ato të ndahen ashtu siç është propozuar nga ana e Ministrit të Financave ditë më parë me korigjimet e kërkuara.
OAK konsideron se në rast Qeveria e Kosovës nuk merr vendim të shpejtë gjatë kësaj jave dhe nuk i ndahen mjetet punëtorëve dhe bineseve, Qeveria është duke bërë segregacion në mes të të punësuarve në Republikën e Kosovës.
Arsye është se Qeveria ka ekzekutuar pagat për punëtorët në institucione një javë ma herët, me paga të plota edhe pse 70 % e tyre nuk janë duke punuar, ndërsa të punësuarit në sektorin privat të cilëve me vendimet e fundit të Qeverisë i është ndaluar puna ose e kanë reduktuar stafin, nuk kanë marrë pagë ende dhe nuk dihet se a do të marrin pasiqë bizneset e kanë të pamundur që të mbulojnë këto shpenzime si rezultat i mos gjenerimit të të hyrave.
Gjithashtu OAK ka kërkuar që të merret parasysh propozimi i bërë nga OAK që paga të jetë 220 € dhe kërkesat e tjera të cilat janë dërguar.
Ne konsiderojmë që shqetësim kryesor për Qeverinë e Kosovës duhet të jetë që të gjithë qytetarët, me përjashtim të atyre që janë të obliguar të dalin, të qëndrojnë në shtëpi dhe të i’u sigurohet minimumi i jetesës.
OAK si çdo herë shpreh gatishmërinë e saj maksimale që të kontribuojë në çdo rast që institucionet kanë nevojë.