Ligjet dhe Udhëzimet Administrative jo të harmonizuara dhe kufizimet që vijnë si rrjedhojë e tyre ishin tema kryesore e diskutimit në takimin e përbashkët që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi me zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal (MBPZHR) z.Vesel Krasniqi dhe bizneset e sektorit të Minierave dhe Mineraleve.
Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi prezentoi problemet që po ju shkaktohen bizneseve të sektorit të Minierave dhe Mineraleve nga Udhëzimet Administrative të nxjerra para më shumë se 8 viteve. Krasniqi theksoi që kufizimet e hapësirave nga Agjencioni Pyjor i Kosovës në 5 vjetë dhe 5 ha janë duke e dëmtuar shumë biznesin duke marrë parasysh se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale për të njejtën hapësirë jep leje për 25 vjet dhe nuk kufizon hapsirën.
OAK gjithashtu e konsideron të pa nevojshme taksën në vlerë prej 0.20€ , e cila paguhet për ndërtim të përkohshëm, e që për një hapësirë prej 5 ha kap vlerën e 10.000€ në vit, ndërkohë që në ketë hapësirë ndërtimi nuk bëhët as në 0.5 ha. Probleme tjera të specifikuara nga OAK gjatë këtij takimi janë edhe lejimi i sigurimit të garancionit edhe në kompanitë e sigurimit, e jo siç është e kufizuar momentalisht vetëm në banka dhe heqja e vendimit për ndalim të përkohshëm të ndërrimit të pasurisë së paluajtshme të MBPZHR.
Të gjitha këto vendime janë të marra me Udhëzime Administrative në vitin 2005, 2007 dhe 2010 dhe për shfuqizimin e tyre mjafton vetëm një vendim nga Ministri apo Qeveria.
Zëvendësministri Vesel Krasniqi cilësoi kërkesat e bëra nga OAK si me vend dhe se duhet të ndërmerren hapat e nevojshëm për ndryshimin e tyre. Sipas Krasniqit Udhëzimet Administrative bëhen për nevoja të qytetarëve dhe bizneseve, andaj edhe këto udhëzime për një periudhë shumë të shkurtë mund të ndryshohen.
Takimi kishte të paraparë edhe hapësirën diskutuese, në të cilën pronarë dhe përfaqësues të bizneseve shprehën vështirësitë me të cilat ata po përballen.
Përfaqësues të shumë bizneseve morën fjalën duke kërkuar përshpejtim të zgjidhjes se këtyre problemeve që janë duke e ngulfat biznesin, në të kundërt paralajmëruan masa drastike me protesta dhe ndërprerje të punës.
Përfaqësuesi i Ma.Con Tahir Rugova tha se Institucionet vendore duke u thirrë në zhvillimin ekonomik të vendit, po vendosin taksa pa vend, pasiqë taksa prej 0.20€ për metër katrorë paguhet aty ku ka ndërtim e jo për tërë hapësirën. Gjithashtu Rugova kërkoi që të mos obligohet biznesi të paguaj për 5ha për 25 vjet për qëllim të shftytëzimit të tokës, mirëpo të paguajnë në momentin kur bëhet shfrytëzimi.
Të gjitha pyetjet e parashtruara nga bizneset prezente morën përgjigje nga zëvendësministri Krasniqi, i cili gjithashtu shpresoi që në takimet e tjera këto probleme të jenë të zgjidhura. Krasniqi gjithashtu kërkoi nga bizneset që të ju përmbahen sa më shumë kritereve dhe të ruajnë ambientin, pasiqë në mungesë të tij nuk ka biznes.
Në lidhje me ankesën e bizneseve prezente në lidhje me vonimin e bërjes së kësaj kërkese, Hysni Zogaj anëtarë i bordit të OAK-së tha që ekzistenca e këtyre vonesave dhe mungesa e reagimit për problemet me të cilat bizneset e sektorëve të ndryshme po përballen janë arsyeja kryesore e themelimit të Odës së Afarizmit të Kosovës. Ai shtoi që bizneset duhet të jenë sa më shumë të organizuara në mënyrë që t’i adresojnë problemet e tyre për të cilën do të kenë përkrahjen maksimale nga OAK e cila vazhdimisht do të organizoj takime të tilla me përfaqësues të institucioneve të ndryshme.