Oda e Afarizmit të Kosovës zhvilloi një takim njoftues me kryetarin e grupit Parlamentar të PDK-së, z.Memli Krasniqi, ku temë kryesore e diskutimit ishin ligjet dhe identifikimi i mënyrave të koordinimit të tyre me njëra-tjetrën, në mënyrë që të jenë kompatibile dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi tha që ligjet duhet të jenë në favor të zhvillimit ekonomik dhe njëkohësisht konsideroi se diskprepanca e madhe mes tyre po shkakton probleme të mëdha në zhvillimin e afarizmit.
Memli Krasniqi theksoi që problemet me të cilat po përballemi janë të shumta dhe se ka përmirësime, mirëpo ende mbeten hapësira në të cilat mund të punojmë për të bërë një mjedis sa më të favorshëm për shoqërinë tonë. Ai gjithashtu ftoi OAK-në në dëgjimin publik të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Automjete, pasiqë pa përfshirjen e komunitetit të biznesit ky ligj dhe të gjitha ligjet tjera nuk do të jenë të plota.
Anëtari i bordit Hysni Zogaj u fokusua tek problemet e bizneseve të sektorit të Minierave dhe Mineraleve, ku shtoi se sektori Minerar ka potencial shumë të madh për zhvillim ekonomik të vendit, andaj duhet të fokusohemi më tepër në zhvillimin e tij.
Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga kryetari i bordit Skënder Krasniqi, sekretari i bordit Diamant Elshani, anëtari i bordit Hysni Zogaj, koordinatorja Donika Gashi dhe zyrtarja Qendresa Ibrahimi.