Me qëllim të njohjes reciproke, diskutimit rreth mundësive të bashkëpunimit, eleminimi i barrierave tregtare gjatë bashkëpunimit Kosovë – Maqedoni e Veriut, e shkëmbimi i praktikave për rritje të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe eksportit në vendet e rajonit, ishin temat që u diskutuan gjatë takimit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë znj.Shpresa Jusufi dhe sekretarin Rexhep Limani.
Gjatë këtij takimi Ambasadorja Jusufi shpalosi disa nga prioritetet e misionit të saj në Kosovë, duke theksuar që janë të hapur për bashkëpunim në sferat e këmbimit tregtar, dhe lobimit të eleminimit të barrierave reciproke.
Kurse, Kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi theksoi që ndërtimi i linjave për rritje të bashkëpunimit tregtar mes vendeve tona është shumë i rëndësishëm, pasi që aktualisht prodhuesit kosovar janë duke hasur në disa sfida gjatë realizimit të eksportit në Maqedoninë Veriore.
Gjithashtu gjatë takimit u theksua edhe mungesa e investimit në autostradë nga ana e Maqedonisë së Veriut, gjë e cila do të ndikonte pozitivisht gjatë të bërit biznes mes të dy vendeve. /2LONLINE.com/