Është shumë e rëndësishme që të ndërtohen kanale të mirëfillta të komunikimit mes të përfaqësuesve të biznesit dhe institucioneve, në mënyrë që të krijohen ligje sa më te favorshme për zhvillimin e vendit dhe sjelljen e investitorëve të huaj në vend, u tha në takimin që Oda e Afarizmit të Kosovës zhvillojë sot me Shefin e Grupit parlamentar të AAK-së, z. Ahmet Isufi.
Gjatë këtij takimi, u prezantuan arsyet e themelimit të OAK-së, punën që është duke bërë dhe bizneset që përfaqësojnë.
“OAK gjatë kësaj kohe ka arritur që të krijojë bashkëpunim shumë të mirë me institucionet, organizatat si të vendit edhe ato ndërkombëtare, dhe ka arritur që të identifikojë shumë probleme të të bërit biznes, andaj komunikimi më i madh me biznesin është më se i nevojshëm” – shtoi ndër të tjera kryetari i bordit Skënder Krasniqi.
Ndërsa z. Hysni Zogaj, anëtarë i bordit theksoi si problem mos harmonizimin e ligjeve mes vete, duke bërë kështu që të mos merren parasysh efekti dhe kundër efekti që kanë ato ligje të cilat kanë bërë që ato të bien në kundërshtim me njëri tjetrin, të cilat duke përkrahë një sektor të caktuar, krijojnë efekte negative për pjesën më të madhe.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, falënderoi OAK-në për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe theksoi se është e vërtetë që ka diskrepancë mes ligjeve dhe në shumë raste ato përkthehen nga vendet e tjera duke bërë kështu që të mos jenë të aplikueshme në vendin tonë, çka bënë që në shikim të parë ligjet të duken të përshtatshme por kur vjen zbatimi praktik i tyre fillojnë problemet.
Ahmeti gjithashtu u shpreh i hapur për të bashkëpunuar dhe të përkrahë idetë dhe rekomandimet lidhur me çështjet konkrete dhe në këtë mënyrë që të gjindet një harmonizim në mes të interesave të Qeverisë, bizneseve dhe sindikatave.
Në fund të takimit u theksua se Oda e Afarizmit do të jetë krahë i sinqertë i vendimeve të mira në vend dhe do të ofrojë përkrahjen e saj Kuvendit të Kosovës, duke dërguar rekomandimet konkrete, në mënyrë që ligjet të jenë në harmoni më njëra tjetrën.
Delegacioni i Odës së Afarizmit të Kosovës ishte në përbërje nga: kryetari i bordit, Skënder Krasniqi, drejtori i bordit, Hysni Zogaj, koordinatorja, Donika Gashi dhe zyrtarja Qëndresa Ibrahimi.