Janë mbajtur sot garat rajonale të recituesve për nxënësit e shkollave të mesme.
Një fjalë përshëndetëse, në emër të Institucioneve Komunale të Vitisë e mbajti drejtoresha për Arsim Fatbardha Emini, e cila pasi ka falënderuar gjitha shkollat pjesëmarrëse, ka theksuar se angazhimi i nxënësve për dije dhe arritje profesionale, është parakusht për realizimin e amanetit të dëshmorëve.
“Vet pjesëmarrja e juaj në garat e recituesve, është kontribut i madh që po jepni madhështi Manifestimit Flakadani i Karadakut. Ju po nderoni figurën e dëshmorit Nijazi Azemi-komandant Mjekrra, për çka po mbahet ky Manifestim. Andaj, suksese gjithë juve nxënësve pjesëmarrës në garën e sotme të recituesve”, ka thënë drejtoresha Emini.
Në emër të shkollave pjesëmarrëse, një fjalë rasti ka mbajtur edhe profesoresha Ramize Dardhishta.
Nga juria e përbërë nga profesorët e shkollave pjesëmarrëse, vendin e parë e zuri nxënësja Viola Kastrati nga shkolla e mesme e Dardanës, vendin e dytë Rina Ahmeti nga Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës” në Viti dhe vendin e tretë Suela Vishi nga shkolla e mesme e Kaçanikut.
Këshilli organizativ ndau mirënjohje për të gjithë nxënësit pjesëmarrës, ndërkohë çmimet i ndau Drejtoresha e Arsimit Fatbardha Emini, Drejtori për Kulturë, Rini e Sport Valmir Sahiti dhe Kosovare Azemi, vajza e dëshmorit Nijazi Azemi. /2LONLINE/