Komuna e Gjilanit ka shënuar sot ditën e shkollës fillore “Zija Shemsiu”-Gjilan, duke e përkujtuar kështu edhe 32-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, duke folur para të pranishmëve të shumtë, ka thënë se nxënësit e shkollës duhet të jenë krenarë që ne fleroret e tyre e shkruajnë emrin e dëshmorit Zija Shemsiu.
“Kjo shkollë për pak kohë të fillimit të punës së saj ka treguar rezultate shumë të mira. Ua uroj ditën e shkollës të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve dhe ua konfirmoj mbështetjen e vazhdueshme të Komunës dhe Kuvendit Komunal në arritjen e rezultateve sa më të mira. Ne veçanti, dua t’ju them se nxënësit e kësaj shkolle duhet të jenë krenarë që çdo ditë, në fletoret e tyre, e shkruajnë emrin e kolosit Zija Shemsiu, i cili u flijua që ne sot të jetojmë të lirë dhe të kemi arsim sa më cilësor e jetë të dinjitetshme”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.
Ndërkaq, drejtori Qemajl Dushica, pasi numëroi rezultatet e nxënësve të kësaj shkolle, tha se në të njejtën kohë e shënojmë me krenari edhe përvjetorin e madh të dëshmorit Zija Shemsiu.
Në këtë ngjarje, e cila është mbajtur në teatrin e qytetit, është dhënë shfaqja “Blerta” me motiv kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës “Zija Shemsiu”.