Drejtoresha e DSHMS-së, Aurorë Osmani Buca, së bashku me drejtoreshën e QKMF-së Arbenita Hajdari dhe Dr. Zejdush Tahiri, takuan drejtoreshën e Arsimit, Selvete Sylejmani.
Në takim u diskutua rreth fillimit të vizitave sistematike mjekësore për nxënësit e shkollave fillore të komunës së Gjilanit.
Nxënësit e klasës së parë, pestë dhe nëntë, janë target i kontrolleve mjekësore për shkak të specifikave në zhvillim.
Vlerësimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve do të bëhet në ekzaminimin e shëndetit oral: Higjiena e gojës dhe dhëmbëve, diagnozat ortodontike etj, dhe në parametrat e përgjithshëm shëndetësor siç janë: Qëndrimi e zhvillimi trupor, pesha, gjatësia, lëkura, pastërtia, sëmundjet e veshit e syrit, zhvillimi psiqik e konstatime të tjera patologjike.
Drejtoresha e arsimit, znj. Sylejmani, potencoi se rikthimi i këtyre kontrolleve mjekësore është i nevojshëm për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.
Këto kontrolle priten të realizohen javëve në vazhdim, meqë gjendja pandemike nëpër të cilën kemi kaluar e ka pamundësuar atë. /2LONLINE/