Gjyqtari i licencuar nga UEFA, Genc Nuzës, kaloi disa ditë të mundimshme mes akuzave dhe presionit të opinionit futbollistik pas sfidës Vushtrria-Drita.
Mos-dhënia e kartonit të kuq për portierin e Dritës, Goran Tafilovskin dhe më pas anulimi i golit të Vushtrrisë nga ajo goditje dënimi, bënë që Nuza të akuzohet pas ndeshjes për gjykim tendencioz jo vetëm nga vushtrriasit por edhe nga disa klube tjera elitare.
Në një intervistë për Gazetën Olle, Nuza ka vendosur të thotë “mjaft” duke folur gjerë e gjatë për vendimet e tij, akuzat që mori dhe presionin që po iu bëhet bilbilave të Superligës.
Si i komenton Nuza akuzat e shpeshta për “ndihmë të Dritës” dhe cili është mesazhi i tij për klubet elitare? Ai ka përgjigjje për të gjitha.
Ishin ditë të nxehta për ju pas ndeshjes Vushtrria-Drita. Shumë akuza e shumë presion. Si e përjetove këtë situatë?
“Vetë jeta jonë si gjyqtarë futbolli është me presion dhe në shumicën e rasteve ka akuza pa bazë. Pas ndeshjes vërtetë kishte shumë komente dhe akuza në drejtimin tim, por mendoj që shumica e këtyre akuzave ishin të padrejta, duke marrë parassyh që edhe ne gjyqtarët jemi njerëz dhe mund të gabojmë. Futbolli është një lojë ku gabojnë të gjithë, duke filluar nga kryesitë, trajnerët, lojtarët e edhe gjyqtarët. Të gjithë jemi humanë dhe gabimet duhet të merren si njerëzore, e jo menjëherë me akuza pa argumente”.