Numri më i ri i revistës letrare “AGMIA”, i 32 me radhë, organ i Ars Clubit “Beqir Musliu” e që e botohet nga viti 1994 e këndej, i kushtohet shkrimtarit nga Kamenica, Nexhat Rexhës, në 65 vjetorin e lindjes , të cilin ky asociacion alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, e pat shënuar në mars të këtij viti.
Studjues e kritikë letrar si Anton Nikë Berisha, Albina idrizi, Prend Buzhala, Mehmetali Rexhepi e Sherafedin Kadriu, përmes qasjeve ë tyre nga kënde të ndryshme, na sjellin portretin letrar të këtij krijuesi mjaft të frytshëm, i cili në letrat shqipe defiloi e bëri emër nga vitet nëntëdhjeta të shekullit të shkuar e këndej.
Natyrisht, “Agmia” sjell edhe një cikël poezish të reja të këtij krijuesi mjaft produktiv si dhe një tregim, po edhe një përkushtim poetik për të.
Ky numër i kësaj reviste, përveç shkrimeve për Nexhat Rexhën, është i pasur dhe me emra të tjerë shkrimtarësh, qoftë nga letërsia e huaj ( Oktavio Paz ), po edhe letërsia jonë si, Ibrahim Kadriu ( cikël poetik ), Fatmir Minguli ( vështrim letrar ) Biser Mehmeti ( tregim ), Rudina Muharremi Baja, ( cikël poetik ), Muhamet Halili ( tregim ) dhe Kaltrinë Berisha ( poezi ).
Si dhe në numrat pararendës, pjesë e “Agmisë” është edhe kronika letrare e Gjilanit nga muaj janar – qershor, ku përmblidhen ngjarjet më kulmore letrare mbajtur në Gjilan, shumica e të cilave janë organizuaar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”.
Numrin më të ri të kësaj reviste, e ka mbështetur financiarisht Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Republikës së Kosovës, përmes Departamentit të saj të kulturës. ( K.Rexha) /2LONLINE.com/