SHBA-ja nuk kërkon që Serbia të zgjedh mes tyre dhe Rusisë, deklaroi mbrëmë në Beograd ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për çështje evropiane dhe aziatike Viktoria Nulland.
“Kemi mirëkuptim se Serbia ka bashkëpunim afatgjatë me Rusinë dhe lidhjet e saj me Rusinë janë të fuqishme. Nuk shoh asgjë të keqe në atë që Serbia të ketë marrëdhënie të mira edhe me Rusinë edhe me SHBA-në”, deklaroi Nulland në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, të mbajtur pas takimit të tyre.
Ashtu siç lajmëroi TASS, Nulland theksoi se SHBA-ja asnjëherë as që ka menduar të kërkojnë nga partnerët dhe aleatët e tyre të zgjedhin anë.
“Për ne është e rëndësishme të bashkëpunojmë me Rusinë dhe të punojmë në përmirësimin e marrëdhënieve. Por, ne do të vazhdojmë të kërkojmë (nga Rusia) t’i plotësojë obligimet e saj ndërkombëtare dhe gjithçka që është e lidhur me qeverisjen e së drejtës”, shtoi Nulland.
Ajo theksoi se SHBA-të i përkrahin anëtarësimin e Serbisë në BE, si dhe dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.