Komitetit të Arsimit në Gjilan, sa herë gjatë mandatit tuaj keni vizituar shkollat; cilat dhe çfarë informacionesh e përvojash keni marr atje. A mund t’ua them edhe disa gjëra të tjera në një shkrim të radhës?
Në këtë milenium, që është emërtuar shekull i arsimimit për të gjithë, askush nuk ka të drejtë të lërë jashtë nxënësit, në rrugë, në kafene, në bastore, në drogë…, sepse duke i lënë jashtë shkollave ata i bëjmë gati për “profesione” të tjera…
Në Komitet…paskeni kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së DKA-së! Përse? Ju, aty në Komitet, veç tjerash, duhet t’i bëni politikat komunale të arsimit dhe jo vetëm të kërkoni dënime, sanksionime, shkarkime…Nuk mund të dënoni njerëzit pa gjykime të bazuar plotësisht në argumente, dhe jo mbi përfolje, paragjykime e thashetheme! Jemi në kohë tjetër!
Nexhat BUZUKU
- Para se të rishikoni zhvendosjen e nxënësve të Shkollës së Mesme të Agrobiznesit “Arbëria” në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, duhet t’i tregoni opinionit qytetar të Gjilanit se cili anëtar i Komitetit…e ka të regjistruar djalin apo vajzën në Shkollën Bujqësore.
- Mos nxitoni se punët me nguti nuk janë as produktive as logjike. Ka kohë që të analizohen shkaqet pse nxënësit nuk dëshirojnë të regjistrohen në këktë shkollë.
- Kush duhet t’i regjistrojë fëmijët në këtë shkollë? – Si thoni? – Vetëm fshatarët, njerëzit e thjeshtë të qytetit, ata që janë larg apo në periferi të politikës duhet ta mbajnë bujqësoren!
- Komiteti duhet t’u tregojë qytetarëve të Gjilanit se cili fëmijë i akëcilit zyrtar, zyrtar pushteti, pozite e opozite, drejtori në të gjitha nivelet, biznesmeni, pra i asaj që në shoqëritë qytetare emërtohet elitë…, është i regjistruar në Shkollën e Mesme Bujqësore në Gjilan.
- Sa për dijeninë tuaj, kur u është thënë nxënësve dhe prindërve të tyre se kjo shkollë është me perspektivë, ata kanë thënë e pse këta të “mëdhenjtë” – aludimi te njerëzit me shumë apo pak pushtet, në të gjitha nivelet, sektorët e segmentet e shoqërisë, nuk po i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë!
- Nxënësit që nuk kanë shkuar në këtë shkollë, ose janë regjistruar me dyhamendësi, kanë deklaruar se “nuk na shkohet atje, sepse na mungon shoqërorizimi”, pra socializimi…
- Në Komitet…paskeni kërkuar shkarkimin e drejtoreshës se DKA-së! Përse? Ju, aty në Komitet, veç tjerash, duhet t’i bëni politikat komunale të arsimit dhe jo vetëm të kërkoni dënime, sanksionime, shkarkime…Jemi në kohë tjetër!
- Ç’faj ka drejtoresha e DKA-së që nxënësit nuk duan të shkojnë në një shkollë ku nuk duan, ku nuk duan as prindërit e tyre?! Ndihmojeni drejtoreshën dhe mos e ktheni Komitetin e Arsimit në Komitet Politik!
- Dhe, paskeni kërkuar “sanksionimin e atyre që kanë lejuar regjistrimin e nxënësve nga shkollat profesionale në shkollat tjera, gjatë vitit shkollor dhe pa i plotësuar kriteret. Për më tepër, është kërkuar të sanksionohen përgjegjësit, të cilët kanë lejuar regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme jashtë dispozitave ligjore”.
- Dakord. Duhet të respektohen kriteret, edhe në regjistrimin e nxënësve përmes konkurseve të rregullta, edhe kur bëhen kalime-trasferime nga njëra shkollë te tjetra.
- Mosrespektim e shkelje kriteresh kanë ndodhur nëpër vite e në të gjitha shkollat dhe gjithandej jetës e segmenteve të saj. E dini ju këtë?! Sigurisht.
- Regjistrimi pa kriter kanë ndodhur në akëcilën shkollë të mesme, por 99 për qind pas fillimit të vitit mësimor, pra pasi ka nisur procesi i mësimit.
- Këto regjistrime jashtë afateve të konkursit dhe pa plotësuar kriteret mund të ndërpriten vetëm atëherë kur në shkolla të emërohen drejtorët jashtë strukturave – kryesive të partive politike. Pra, kandidatët që mbajnë poste të larta në degët partiake të mos caktohen për menaxhim shkollash.
- Mos gjykoni me frymë fushate parazgjedhore, sepse ende ka kohë deri në zgjedhjet komunale!
- Së paku ta thoni një fjalë të mirë e motivuese për njerëzit që punojnë në arsim, sepse nuk janë në numrin e kryesive të partive apo këshillave të tyre drejtuese, por janë me mijëra nxënës e mësimdhënës.
- Ish-drejtorin e DKA-së, profesor Nazmi Musën, e patët shënjestër në çdo seancë kuvendore e pothuaj në secilën mbledhje të Komitetit të arsimit, deri sa ai la mandatin dhe u pensionua. Nuk keni lënë gjë pa i thënë, vetëm arkivolin nuk ia patët lënë para pragut…E, kur ai nuk ishte më në krye të DKA-së, u kujtuat të riformuloni gjykimet tuaja, të ndërroni qëndrim dhe bile ta “vajtoni” Nazmi Musën që nuk ishte më në krye të DKA-së!
- Mos i dënoni njerëzit para gjykimit, dhe gjykimet që nxirrni duhet t’i keni shumë të bazuara në argumente që të jenë të qëndrueshme…
- Edhe ata që menaxhojnë shkollat nuk e kanë të lehtë, sepse përballen me frymë e mentalitete të ndryshme që shantazhojnë, rezistojnë e kërcënojnë hera-herës, ngase janë mësuar të mbajnë vende pune, por pa qenë në nivelin e detyrave…
- Në një mënyrë, në institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet, është instaluar dhe po kultivohet një frymë antivlerë!
- Tjetër, në këtë milenium, që është emërtuar shekull i arsimimit për të gjithë, nuk ka askush të drejtë të lërë jashtë shkollave në rrugë, në kafene, në bastore, në drogë…nxënësit, sepse duke i lënë jashtë shkollave ata i bëjmë gati për “profesione” të tjera.
- Komuna e Gjilanit ka bërë mjaft në procesin arsimor dhe vazhdon të bëjë punë të mira. Ka bërë Kampusin që është model i organizimit të mësimit në një vend në nivel Republike.
- Sikur jemi mësuar të mos e shohim trarin në vetvete por ashklën në syrin e tjetrit! E dini si i thonë kësaj pune: “Gruri që rritej egjra përmbi…!”
- Jemi duke jetuar e kaluar një kohë të keqe, në gjithë vendin, por do kalojë.
- Jemi duke jetuar një depresion kolektiv, andaj as shkollat nuk janë përjashtim! Prandaj, duhet kanalizuar energjitë pozitive në drejtimin e duhur dhe jo në dekurajim.
- Kush e edukon dhe arsimon rininë në lartësinë e duhur, e ka ardhmërinë.
Prandaj, gjithë beteja jonë duhet të zhvillohet në këtë pistë dhe jo të matemi kush po shigjeton, shënjestron dhe godet tjetrin!
E thash më lartë, në grurë ka shumë egjër!