Pas një qeverisje të dobët e me plot skandale, me vendosjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe aprovimi i ligjeve që e bëjnë FSK-në Ushtri të Kosovës, letra e presidentit të SHBA-ve Donald Trump dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, dhe atij serb Aleksandar Vuçiqit, e ka rikthyer frikën për kompromiset e dhimbshme që e presin Kosovën në bisedimet me Serbinë.
Shkruan: Shemsi Syla
Këto tri ngjarje po e dominojnë edhe debatin në skenën politike në Kosovë duke e harruar keqqeverisjen dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët në jetën e përditshme.
Pas themelimit të ushtrisë, qytetarët e Kosovës, ndoshta, në aspektin psikologjik do të ndihen më mirë. Por, themelimi i ushtrisë nuk do ta përmirësojë, nuk do ta bëjë Kosovën më të pasur, korrupsioni do të vazhdojë t’ia zë frymën vendit nëse nuk luftohet, plaçkitësit e arkës së shtetit do të vazhdojnë zanatin e tyre.
Gjendja ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë është në përmasa alarmante. Mjafton të theksohen dy shembuj: Muaj më parë mjaftoi njoftimi se një organizatë në Prizren po jep viza pune për qytetarët që janë të interesuar të punojnë në Gjermani dhe rrugët e Prizrenit u mbushën me plot njerëz. Po ashtu, këto ditë u raportua se në një konkurs të shkallur nga KEK-u për 100 vende të lira pune kanë konkurruar rreth 20 mijë qytetarë, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Kosovës.
Ndërsa, në anën tjetër, korrupsioni e krimi i organizuar po i shtrin rrënjët gjithnjë e më shumë në parlament, qeveri, media, drejtësi dhe kudo që i nevojitet. Edhe atje ku nuk i ka fizikisht, i bën për vete shpirtërisht dhe moralisht.
Ata që nuk pranojnë “birësimin” nga baballarët e krimit e korrupsionit, nuk kanë kurrfarë gjasash të mbërrijnë apo qëndrojnë në krye. Që krimi ekonomik e korupsioni të qëndrojë i pacenuar dhe i qetë, duhet të emërohen e punësohen njerëz servil të korruptueshëm që u drejtohen njerëzve me plot sheqer e shpresa, ku fjalët popull, demokraci, liri, reforma, ndodhen në çdo varg të këngës që i këndohet popullit pa pushim, e ky popull “i ngratë’’ duhet të besojë se “çetat” dhe udhëheqësit e tyre po sakrifikohen për të dhe interesat e tij dhe, po për hir të popullit, janë të gatshëm të kryejnë atëvrasje, domethënë ta taksojnë, gjobisin, penalizojnë dhe dënojnë korrupsionin e krimin kokëfortë dhe mosbindës ndaj “rendit demokratik”.
Sa herë që koalicioni qeverisës diskreditohet dhe e mbush kupën në zullumet e veta antipopullore, del në skenë nevoja për ndryshim dhe të njëjtit njerëz sërish marrin përsipër “shpëtimin” e shoqërisë duke qetësuar shpirtrat e trazuar nga padrejtësitë dhe duke i kanalizuar pakënaqësitë, inatet, mllefet, urrejtjet dhe reagimet.
Në këto gati 20 vjet lirie në Kosovë, sytë dhe veshët i kemi të mbushur plot e përplot me histori suksesi, iniciativë ekonomike dhe liri mendimi, organizimi dhe grumbullimi. Pavarësisht ndërrimeve të forcave politike në pushtet, një gjë nuk ka ndryshuar: një grusht individësh, kryesisht hajdutë dhe gangsterë, kanë futur në dorë shumicën e pasurive mbi dhe nën dhe, ndërsa shumica dërmuese e popullit lufton thjesht për mbijetesë, mbijetesë në kuptimin e drejtpërdrejtë të kësaj fjale; ose e shtyn jetën me stres, ose vendos të largohet nga vendi.
E pasi që kjo shtresë sunduese ka marrë në dorë të gjitha institucionet e Kosovës, duke punësuar militantë partiakë e lakej që janë bërë ekspert të hajnisë përmes tenderëve publikë, kjo strukturë udhëheqëse e Kosovës ka vendosur të merret me dialogun dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Qeveria ka hartuar një lloj platforme politike përmes të cilës ka plasuar ofertën e re për Serbinë e në anën tjetër, është krijuar një ekip negociator që gjoja përfaqëson unitetin politik në Kosovë.
Por kur u duk se plani i Thaçit dhe Vuçiqit për arritjen e një marrëveshjeje po dështonte, letra e presidentit të SHBA-ve Donald Trump dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, dhe atij serb Aleksandar Vuçiq, e ka rikthyer frikën për kompromiset e dhimbshme që e presin Kosovën në bisedimet me Serbinë.
Ana më problematike e çështjes së bisedimeve me Serbinë është insistimi për ta faktorizuar Hashim Thaçin, i cili nuk gëzon besim të spektrit politik e as të popullit të Kosovës. Në këtë kontekst, edhe letra e presidentit Trump, përkatësisht, përmbajtja dhe toni i saj, paralajmërojnë se një marrëveshje ndërmjet Thaçit e Vuçiqit tashmë është arritur, por mbetet që të menaxhohet pas bërjes së saj publike. Prandaj, për menaxhimin e kësaj marrëveshjeje, tashmë është formuar edhe ekipi gjoja negociator i kryesuar nga dy figura politike të cilët nuk kanë as peshë politike sepse përfaqësojnë dy parti shumë të vogla po as si individë nuk kanë kurrëfarë kredibiliteti brenda në Kosovë.
Ekipi negociator i kryesuar nga këta dy përfaqësues, do të ketë efektet e një dekori, sepse marrëveshja kornizë, sipas të gjitha gjasave, është e dakorduar nga Thaçi dhe Vuçiqi.
Tani ka lindur një problem shumë i madh; pozicionin e shumicës në Kosovë që e kundërshton marrëveshjen për shkëmbim territoresh dhe nuk e pranon Hashim Thaçin si udhëheqës i bisedimeve, e ka vënë në pozitë të vështirë letra e presidentit Trump. Andaj, krejt filozofia qëndron në atë se si të refuzohet kompromisi i dhimbshëm përballë ofertës së SHBA-ve – një detyrë shumë e vështirë, por e domosdoshme, sepse një gjë duhet ta kemi parasysh, interesat vitale të kombit nuk sakrifikohen për asgjë dhe për askënd.
Paaftësia, jo kompetenca, korrupsioni, të qenurit të shantazhuar, e “lodhja” e klasës politike, nuk mund dhe nuk guxojnë të përkthehen në “kompromise të dhimbshme” dhe sakrifica të mëtejme kombëtare. Nëse nuk janë në gjendje të ndërtojnë shtetin me punë e vetmohim, duhet të largohen dhe t’ua lirojnë vendin të tjerëve që ta bëjnë këtë gjë!
Nuk duhet t’u lihet në dorë më asnjëherë e ardhmja e vendit atyre që e kanë shpërdoruar disa herë besimin tonë në të kaluarën.