“Janë disa shpenzime që deshëm ose jo nuk mund t’i mënjanojmë, por duke kursyer në dreka e darka, si dhe në zbukurimin e qytetit, si me rastin e festave të fundvitit, mund të rrisim nurin e bursave për studentë, që nënkupton investim për të ardhmen e vendit”, ka thënë Arta Haziri-Nuhiu, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Përndryshe, ajo në seancën e fundit të KK-së së Gjilanit ka thënë se e vlerëson lartë punën e Komisionit për ndarjen e Bursave për studentë të dalluar, që ndan Komuna e Gjilanit, pasi sipas saj Komisioni e ka kryer me sukses punën e tij, paanshëm dhe me përgjegjësi të plotë.
“Është shumë e vërtetë që nga çdo garë nuk mund të përfundojnë të gjithë të kënaqur. Gara për bursë ka qenë e fortë, sepse kemi studentë të zot nga Gjilani, dhe natyrisht që edhe komisioni nuk e ka pas fare lehtë ta bëjë përzgjedhjen e përfituesve, sepse të gjithë ata që kanë konkuruar, e kanë merituar të marrin bursën, por janë kriteret e vendimit të Kuvendit të komunës, respektivisht të konkursit ato të cilat i përcaktojnë përfituesit”, ka thënë Nuhiu.
Po ashtu, rekomandimet që i ka dhënë Komisioni në raportin final, duhet të merren si bazë mbi të cilën do të merren vendimet për përcaktimin e kritereve në të ardhmen.
“Bursat tani e tutje, qofshin edhe vetëm 20, duhet t’i ndahen atyre studentëve që kanë notën më të lartë. E, për kategoritë tjera, si ato të luftës, atyre me gjendje të rëndë ekonomike, duhet të ndahen në vete, sepse kësisoj po ballafaqohemi me diskriminim ndaj atyre studentëve me notë mesatare më të lartë”, ka thënë ajo.
Gjithashtu, edhe koha kur hapet konkursi për bursa duhet të ndryshoj, ka thënë Arta Haziri – Nuhiu, pasi ajo mendon se konkursi duhet të dali pas përfundimit të vitit akademik për të cilin edhe ndahen bursat. Pra, konkursi të hapet pas afatit të qershorit, meqë ky afat është i rregullt dhe nuk duhet të lejohet që t’iu pamundësohet studentëve të konkurrojnë për bursë.