Në konferencën e 30-të të klubit FC Drita u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Almir Ajzeraj. Në këtë konferencë u theksuan pritshmëritë, por edhe përgatitjet për ndeshjen FC Drita – KF Malisheva, ku u potencua se fitorja është synimi i vetëm.
Kryetrajneri Nuhiu theksoi se nesër na pret një ndeshje e fortë ndaj një skuadre me sulm të shpejtë, ku FC Drita duhet të jetë e fokusuar.
“Presim një kundërshtar të fortë, një skuadër me eksperiencë që e njeh kampionatin mirë. Skuadër e shpejtë në sulm dhe agresive në aspektin defanziv. E rëndësishme për skuadrën tonë është të kemi përqendrim maksimal, ta zotërojmë topin dhe të jemi të gatshëm për të reaguar. I kemi përgatitur edhe stërvitjet në atë mënyrë që të kemi mundësi të qajmë në pikat e tyre më të dobëta dhe të kemi kujdes në pikat e tyre të forta. Kam besim te grupi që do të performojë në mënyrën më të mirë, të ndëshkojmë dhe të marrim tri pikë”, ka theksuar fillimisht Nuhiu.
Kurse, futbollisti Almir Ajzeraj theksoi se Drita do t’i qaset ndeshjes me seriozitet ndaj një kundështari tashmë të dëshmuar.
“Nesër na pret një ndeshje mjaft e vështirë, një skuadër e dëshmuar në kampionat dhe agressive e me përvojë. Si në cdo lojë ne kemi bërë analizat, tanimë i dijmë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit dhe besoj që nga nesër do të kthehemi te fitorja”, deklaroi Ajzeraj.
Kryetrajneri, Nuhiu dhe futbollisti, Ajzeraj u pyetën edhe për ecurinë e kampionatit dhe objektivat e klubit.
Për këtë, trajneri Ardian Nuhiu tha se rindërtimi i skuadrës do jap frytet e tij dhe Drita ka të ardhme të ndritur.
“Në asnjë moment nuk jemi dorëzuar, por realisht është një diferencë e madhe dhe gjërat janë vështirësuar. Por, ne si klub kemi qenë të përgatitur që do të kemi një kampionat të tillë ku mund të kemi luhatje. Vendimet për të ndryshuar komplet skuadrën, për të ndërprerë bashkëpunimin me disa futbollistë që i kanë dhënë shumë klubit dhe duke afruar futbollistë të rinj tregojnë guxim vërtetë të madh. Kështu duke rindërtuar thuajse komplet skuadrën dhe për këtë kemi qenë të vetëdijshëm se komponimi do të jetë sfidë. Por, ne kemi parë skuadrën tonë dhe komponimin në ndeshje ndërkombëtare, sado që ndryshon motivi në Evropë dhe në kampionat”, ka thënë ndër të tjera Nuhiu.
Traneri Nuhiu ritheksoi se Drita është në finale të Kupës dhe brenda objektivit, prandaj fokusi është te finalja e madhe dhe trofeu i Kupës.
“Por, ne duhet të jemi të kënaqur me atë cfarë ka treguar skuadra këtë vit, futbollistët cilësorë që kanë performuar shumë mirë këtë kampionat. Kemi ekip të mirë dhe realisht nuk jemi vetëm në garë, kemi qenë shumë skuadra që luftojmë për titullin, por edhe skuadrat më poshtë tabelës që kanë treguar karakter me ne. Skuadra duhet ndërtuar, DRITA ka një të ardhme të ndritur dhe fokusi duhet të jetë në këto 7 ndeshjet e fundit. Na pret edhe finalja e madhe për të cilën që tani do të fillojmë ta përgatisim, që të shfaqemi në nivelin më të lartë. Do të bëjmë më tepër se maksimumin që Kupën ta rikthejmë në qytetin tonë dhe për tifozët tanë “Intelektualët”, të cilët e meritojnë çdo sukses”, ka përfunduar Nuhiu.
Ndërkaq, futbollisti Ajzeraj tha se motivi për të dhënë më të mirën te Drita është gjithmonë, sepse objektivat janë të qarta.
” Kur kemi reformim në klub, natyrisht që komoponimi do kohë, por motiv gjithmonë ka pasur. Në shumë ndeshje kanë ndikuar edhe lëndimet dhe infrastruktura, sepse shumë herë terreni nuk ta lejon të shprehësh cilësitë tonë, jo vetëm ne, por për të gjitha klubet. Kushtet infrastrukturore nganjëherë janë minimale dhe në kampionat duhet të kesh kontinuitet. Mbase, llogaritë bëhen në fund dhe tani synimi jonë është të fitojmë Kupën dhe mezi e presim atë ndeshje”, përfundoi Ajzeraj.
Në këtë ndeshje te Drita do të mungojnë: Muharrem Jashari, Astrit Fazliu dhe Arbnor Muja. /2LONLINE/