Një ditë para ndeshjes së 35-të kampionale, FC Prishtina – FC DRITA, kjo e fundit ka mbajtur konferencë për media, ku u paraqitën Drejtori Sportiv i klubit, Valon Zymberi dhe kryetrajneri, Ardian Nuhiu.
Në prag të ndeshjes, trajneri Ardian Nuhiu theksoi se përballjet e rivalëve të vjetër gjithmonë janë një klasiko e futbollit dhe nesër pret ndeshje kualitative.
“Nesër pres një ndeshje kualitative nga dy skuadra që kanë shumë cilësi dhe viteve të fundit kanë luajtur rol të madh në kampionat. Të dyja skuadrat kanë futbollistë cilësorë dhe kjo është arsyeja se pse pres një futboll të bukur, që gjithashtu edhe fusha do të na ndihmojë për t’u shprehur. Shoh te futbollistët një motiv, kanë punuar shumë këtë javë, është analizuar kundërshtari dhe janë bashkuar të gjithë futbollistët. Gjitha dëmtimet dhe shqetësimet që kanë pasur janë sanuar dhe nesër do të mundohemi ta gjejmë rrugën e duhur për të performuar mirë dhe për të bërë më të mirën në ndeshje”, theksoi trajneri Nuhiu.
Në këtë konferencë u diskutua edhe për vijueshmërinë e kampionatit, arritjet e klubit Drita, projektin në kampionatin e ri dhe rinovimin e kontratës me trajnerin Nuhiu.
Drejtori Sportiv, Valon Zymberi theksoi se vazhdimi i kontratës për tri vitet e ardhshme me trajnerin Nuhiu erdhi si rezultat i një pune dhe ecurie të suksesshme, falë bashkëpunimit të mirëfilltë dhe profesionalizmit të treguar.
“Nënshkrimi i kontratës me trajnerin është një vazhdim i një projekti të cilin bashkërisht e kemi përpilua që nga dita e parë që trajneri ka ardh te Drita, kemi qenë shumë të qartë me kërkesat dhe punën që ne e kërkojmë. Sigurisht, që edhe vizioni dhe profesionalizmi i trajnerit Nuhiu ka funksionuar në perfeksion dhe suskeset e arritura deri më tani kanë sjellë këtë kontratë, pa e vënë fare në dyshim vazhdimin. Një kontratë e tillë është rezultat i një bashkëpunimi të mirëfilltë, ku falë një periudhe të suksesshme është arritur ajo që kemi pasur për qëllim që nga dita e parë e ardhjes së trajnerit. Kjo ecuri erdhi falë punës dhe profesionalizmit të trajnerit, por edhe shtabit teknik, të cilët ndër vite e kanë treguar profesionalizmin dhe punën e tyre”, ka thënë drejtori, Valon Zymberi.
Ndërsa, kryetrajneri Nuhiu falënderoi drejtuesit e klubit, pronarët për besimin, gjersa theksoi se vazhdimi i kontratës shton motivin për të punuar, por edhe përgjegjësinë.
“Jam shumë i lumtur që po vazhdoj me një skuadër sic është Drita, një skuadër e organizuar jashtëzakonisht mirë. Falënderoi udhëheqësit dhe pronarët e klubit të cilët kanë besuar që vazhdimësinë e projektit ta vazhdojnë prapë me mua. Për një trajner është shumë e rëndësishme ta gjesh qetësinë dhe këtë unë e kam te Drita. Ka shumë vite që drejtuesit e klubit janë treguar vizionar dhe është vlerësuar puna dhe profesionalizmi. Vazhdimi i kontratës më rrit motivin për të punuar, por sigurisht më shton edhe përgjegjësinë. Mendoj se është bërë një punë e mirë, nga dita në ditë është rritur skuadra, është shprehur edhe më mirë dhe për këtë falënderojmë të gjithë për bashkëpunimin. Faleminderit për gjithë këto vite përkrahje edhe tifozët tanë, “Intelektualët”, të cilët vazhdojnë të na mbështesin e besojnë në punën tonë”, ka thënë Nuhiu.
Drejtori Sportiv, Valon Zymberi theksoi se synimet e Dritës për edicionin e ri, por edhe vitet në vazhdim do të jenë titujt, trofetë dhe garat ndërkombëtare.
“Pa diskutim ne e kemi të qartë projektin nëpër të cilin do të kalojmë. Do të jemi klub që luftojmë për tituj, trofe dhe krahas tyre edhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare. Vizioni ynë si klub qëndron edhe në ngritjen e vazhdueshme të performancës, afrimi i lojtarëve të rinj në moshë dhe promovimi i tyre në Evropë. Fokusi ynë është paraqitja në arenën ndërkombëtare dhe pse jo DRITA të jetë një trampolinë që ofron futbollistë për klube në tregun ndërkombëtar. Kështu do të krijohej edhe një rrjetëzim dhe bashkëpunim i klubit tonë me klube të mëdha me renome, kjo do ta arsyetonte edhe më mirë pjesëmarrjen në Evropë”, përfundoi drejtori sportiv, Valon Zymberi.
Ndryshe, ndeshja e xhiros së 35-të, FC Prishtina – FC Drita zhvillohet nesër e diele, ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /2LONLINE/