Ardian Nuhiu, kryetrajneri i SC Gjilanit ka folur para gazetarëve në konferencën për shtyp në prag të duelit ndaj Feronikeli ’74 duke theksuar rëndësinë e këtij ballafaqimi për futbollistët e tij.
I pari i shtabit teknik ka theksuar se nuk do ta nënvlerësojmë në asnjë moment kundërshtarin, mirëpo do ta respektojnë vetën duke besuar në cilësitë që i ka skuadra gjilanase.
“Përballemi me një kundërshtar që ka ndryshuar trajner dhe ka qenë më e vështirë për t’u analizuar në aspektin ekipor. Pavarësisht që kundërshtarët tanë nuk e kanë startuar mirë këtë edicion, ne nuk jemi në pozitë për ta nënvlerësuar asnjë ekip, mirëpo si gjithmonë duke respektuar vetën tonë”, theksoi fillimisht Nuhiu.
Pushimi i kombëtareve ka qenë i mirëseardhur për ekipin që kishte nevojë për frymëmarrje pas rezultateve jo të mira në dy xhirot e fundit.
“Pushimi dyjavor ka qenë i mirëseardhur për ne, pasi që kemi patur mundësi për të shikuar se ku kemi nevojë për t’u përmirësuar. Kemi punuar mjaft mirë me futbollistët të cilët kanë qenë tejet të movituar dhe përkushtuar për të gjetur rezultatet pozitive. Shpresojmë dhe besojmë që ekipi do reflektojë nga kjo ndeshje”, potencoi Nuhiu.
Thaqi vlerë e shtuar për ekipin
Pavarësisht rezultateve jo shumë të mira që ekipi mori në ndeshjet e para të këtij kampionati, tekniku i kuqebardhëve potencoi se skuadra nuk ka humbur motivin dhe se ekipi do të rikthehet shpejtë.
“Ekipit nuk i ka munguar motivi dhe dëshira për të fituar, mirëpo gjithmonë na është dashur diçka më tepër, ndoshta koncentrimi për ta fituar ndeshjen, pasi që kemi avancuar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni. E rëndësishme për ta fituar këtë ndeshje, pasi që kjo fitore, na dërgon edhe në fitoret e tjera. Duhet të jemi të përqendruar dhe me vlerësim maksimal t’i bashkojmë të gjithë forcat dhe të fitojmë këtë ndeshje që do të na shërbejë për vazhdimësinë e kampionatit”, ka thën[ Nuhiu.
Ndërkohë, ai ka folur edhe për Armend Thaqin, i cili ka përforcuar ekipin së fundmi.
“Ardhja e Armend Thaqit është një vlerë e shtuar për ekipin tonë. Është një futbollist kampion dhe për më shumë që e njeh ambientin, pasi që edhe më parë ka qenë pjesë e klubit”.
Nuhiu ka potencuar edhe fjalimin të cilin ua ka mbajtur futbollistëve gjatë javës, teksa ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve.
“Reflektim. Reagim. Kemi potencial për të bërë shumë më tepër. Kemi grup të mire dhe besojmë fuqishëm që do vijmë te rezultatet pozitive, së bashku me tifozët për të cilët kemi nevojë për mbështetjen e tyre. T’i bashkojmë forcat për të arritur suksesin”.
Kaçe futbollist i rëndësishëm për ne
I pyetur për formën e futbollistit Ergys Kaçe, tekniku i gjilanasve u shpreh:
“Kaçe është një futbollist i rëndësishëm për ne, do të na ndihmoj shumë gjatë kampionatit”.
Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Feronikeli ’74 zhvillohet të hënën më 16 Shtator në stadiumin ndihmës në Gjilan me fillim nga ora 15.00. /2LONLINE/