/Një si In Memoriam për mikun tim, artistin e shquar/
Eh, or Nuhi Matoshi, brezi ynë përditë po rrallohemi e po ngelim gjithnjë e më pak, siç na le ti neve… Thuhej se je diçka pa qejf, por në këtë mot çfarë po mbretëron sivjet, cili nga mosha jonë ishte pa telashe me të vogla a më të mëdha të ftohjes, gripit e çfarë jo tjetër, sepse neve, pak a shumë, na gjente “të gatshëm”. Thuhej, por, nuk e mora asnjëherë kaq serioze këtë gjendjen tënde kaq të keqësuar shëndetësore, andaj doli që e vetmja betejë e luftës që e quajmë jetë, të të mposhtë, siç do të ndodh, zaten me të gjithë neve, sot apo nesër.
Shkruan: Hasan Bunjaku
Ndryshe, u njohëm që nga viti i largët 1964, në Aksionin punues, Magjistralen e Adriatikut në aksin Kollashin-Bijelo Polje. Si intendent i Brigadës Gjilanase që isha, dhe e kisha për detyrë që me ndihmësit e mijë të ju furnizoja përditë me ushqime në trase, e meqë i posedoja të gjitha ato sasi ushqimesh, më quaje “Hasan Kapitalisti”, dhe meqë ishe ndër më simpatikët në atë formacion punonjës, gjithnjë do gjeja do rezerva “repete” për ty…
Pastaj, na u ndanë rrugët në studime, ti fillimisht në Fakultetin Filozofik, grupi gjuhë e letërsi e unë në SHNP të Prizrenit në po këtë degë. Ndërkohë që me hapjen e Studio së Teatrit bashkë me Sabedin Shahiqin u regjistruat dhe frekuentuar studimet për aktorë, kohë kjo kur me regjisorin tonë mbase më të madhin që e patëm ndonjëherë, Muharrem Qenën, realizuat shfaqjen e Edmnond Moriit, “Pjata e drujtë”, ku interpretove kryepersonazhin në mënyrë brilante.
Unë u ktheva më 1968 në Gjilan dhe u punësova si mësimdhënës në arsim, ndërkaq që ju të dytë, pra ti dhe Sabedini, u punësuat në Teatrin e qytetit më 1971. Me guximin e një të riu plot elan, more guximin dhe që në ditët e para more rolin e regjionit në shfaqjen “Familja e Peshkatarit” të Sylejman Pitarkës, duke e bartë edhe rolin kryesor, shfaqje kjo e cila pati kaq sukses e u prit me kaq interesim të madh, dhe për herë të parë në Teatër, “u thyen dyert” dhe u mbush salla me mbi 500 veta, sepse nuk kishte bileta për të gjithë.
Pastaj po me këtë elan me sukses të plotë e inskenove “Biletën e llotarisë” të Dionis Bubanit, komedi kjo e cila për një kohë të gjatë mbajti rekordin e numrit më të madh të reprizimeve, në tërë Kosovën, e trojet tjera etnike në ish shtetin që nuk është më.
Pastaj, pate rol të rëndësishëm edhe në shfaqjen “Varret e Pafajshme” të Muharrem Shahiqit në regjinë e kolegut tënd, Sabedinit, bëre regjinë e shfaqjes “Dasmë pa nuse” të Minush Jeros, Shfaqjen për fëmijë “Ujku dhe shtatë edhat”, sikundër edhe me Dramën Serbe, shfaqjen e “Nitës” së Josip Relës, dhe ndonjë tjetër. Në vitin 1975, për arsyera personale e i pakënaqur me statusin tij në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, u punësove në RTP, si regjisor, ku deri në mbyllje të këtij institucioni publik, më 1992, xhirove dhe krijove me qindra prezantime të SHKA-ve të Kosovës, sikundër që edhe në “Bunker” të televizionit të patën ngelë mbi 30 orë program i gatshëm i xhiruar me ansamblet e këngëve dhe valleve anë e kënd Shqipërisë.
Në ndërkohë pas okupimit të institucioneve tona, xhirove një video-kasetë me solistët vokalë më të njohur kosovarë, e të angazhuan edhe në disa role në Teatrin e Gjilanit, ndërkaq që punë të rregullt nuk pate më. Ishe kaq principiel e kokëfortë në parimet tua, sa nuk iu përkule askujt, ndonëse me një sens të lindur artistik, me dell për regji aktrim. Figura jote artistike për ato vite sa puno ve, u kompletua me krijime vërtetë të një niveli e cilësie të lartë artistike.
Na ike si shumë shpejt sikur na e le “kile”, duke na lënë në pikëllim, por edhe krenar që jetuam e punuam bashkë gjithë këto vite, miku im, që u prehsh në paqe!