/56 vjet nga lindja e herojit te kombit Nuhi Berisha/
Izmi Zeka
Nuhi Berisha ndonëse në moshë të re, për shkak të përkushtimit atdhetar, ra nga forcat e shumta policore serbe, i rrethuar së bashku me Rexhep Malën në periferi të Prishtinës (tashmë) Kodra e Trimave. Ai la prapa bëmat dhe përpjekjet për liri dhe për luftë çlirimtare.
Nuhiu është analizuar nga këndi patriotik e atdhetar, por ndoshta pak i është dhënë rëndësi publikimit të shkrimeve të tija dhe krijimtarisë letrare, që është mjaftë e rëndësishme për periudhën e pas viteve të 80-ta e më tej, deri te përmasa e luftës çlirimtare.
Te Nuhiu ndërlidhen aq mirë arti i luftës me aspektin shkencor e intelektual, që në përpjekjet tona për liri gjatë viteve të 80-ta, do të jenë të paktë modelet e atilla sikurse Ai. Shëmbëlltyra e tij bartte mesazhe, qoftë përmes luftës ilegale, por po ashtu edhe përmes ngritjes politike e intelektuale, që ishin dy komponentë për të arritur deri në organizimin e luftës çlirimtare dhe çlirimin përfundimtar të tokave arbërore.
Nuhi Berisha botoi librin “Pranvera e Luleve te Kuqe” dhe broshurën “Mbi Organizimin”
Do të theksoj një kujtim të bashkëveprimtarit të Nuhiut, Enver Topalli, tashmë dëshmorë, i cili shkroi:
“Në varrezat e Prishtinës tashti viti nuk më kujtohet, kishim fshehur material tonin, duke ditur se aty nuk do të vërehemi, se ato janë varre dhe njerëzit ruhen prej tyre.
Kur shkojmë ta marrim bashkë me Nuhiun, duke e nxjerr, gjendemi të rrethuar prej fëmijëve. Ata ishin të humbur në lojë, dhe po ashtu papandehur ishin gjendur në varreza. U zverdhëm! Ç`të bënim?! Si të shpërndahemi tash?
-Hej cuna thirri Nuhiu! -Eni këtu! Pa më pyetur mua fare, ose së paku ta merrte mendimin tim… -Qe,mbrëmë duke ardhur, na kanë rënë këtu këto gazeta. Janë shqip, me emra të bukur. I doni? Ata zgjatën duart. Asnjëherë, më shpejt nuk kishte kryer punë…”
Jo rastësisht Enver Topalli është dëshmor i kombit… Andaj, ata i bashkoi ideja për bërjen e shtetit; angazhimi në të gjitha sferat, duke rrezikuar në çdo kohë edhe jetën vetëm e vetëm për të qenë e lirë Kosova dhe e gjithë shqiptaria.
Enver Topalli evokon kujtime për shokun e vrarë, për punën që e bënin në netët pa gjumë, për të ri-ngritur idenë te të gjitha shtresat shoqërore në Kosovë, se Kosova duhet të jetë e lirë. Kujtimet i kishte shfaqur thjesht, me një gjuhë të pastër, por qartë, në përputhje me rrethanat dhe asisoj si mund të veprohej në momente të caktuara kur rreziku ishte tejet i madh.
Enver Topalli kishte pohuar :”E kam njohur Nuhiun dhe kam punuar me të. Ai ishte njeri i sakrificave, nga të cilat nuk trembej, këtë e dëshmoi me vdekje. Një vdekje më këngën e lirisë në buzë”
Dëshmori Enver Topalli kishte njohuri të mëdha për Nuhiun, sepse ishin bashkudhëtarë të një ideali, të një jete, ndaj e portretizoi si njeri që nuk dinte çfarë është vdekja.
Duke analizuar më thellë shihet se përpjekjet e luftëtarëve të orëve të para, ishin në rrjedhën e pandalshme të historisë më të re. Nga ky kënd-shikim Nuhiu, siç theksoi Enver Topalli, vdiq me këngën e lirisë në buzë. Ky ishte mesazhi, guximi,thirrja madhore, që në mënyrë të tërthortë edhe vetë Enver Topalli i bënte popullit përmes sakrificës të shëmbëlltyrës të Nuhiut. Ata të dy kishin një rrugë që ishte e mbushur më rreziqe të mëdha, por pa të cilat nuk do të vinte liria.
Kujtimi në shkrimin e Enver Topallit për Nuhiun ngjason në lidhjen e fortë shpirtërore , në veçanti në një lidhje për dalluese nga të tjerët, të cilët luftën dhe përpjekjet i shihnin më ndryshe.
Ahmet Isufi pos tjerash pohon:”Mirëpo në janarin e kobshëm të vitit 1982, nga dora kriminale e njerëzve të UDB-së vriten tre militantët e shquar të populli tonë:Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Kjo vrasje do të jetë një grusht i rëndë për lëvizjen gjithë popullore. Me të dëgjuar lajmin e hidhur Nuhiu takohet me shokë dhe në atë rast u thotë: – Armiku na ka goditur rëndë, por kjo goditje, le të jetë nxitje për një luftë të vendosur, që ta çojmë përpara rrugën e tyre revolucionare për çlirimin e atdheut”.
Një goditje tjetër e rëndë ishte vrasja në Shtutgard të Gjermanisë e tre pishtarëve të lirisë. Bashkëveprimtari i Nuhiut, Ahmet Isufi shpjegoi përjetimin e Nuhiut në momente mjaftë të vështira për lëvizjen me rastin e vrasjes së tyre. Nga ajo që thuhet, shihet se lufta për liri pavarësisht sfidave nuk ndalej.
Gjithsesi, edhe pse Nuhiu e ndjeu fort humbjen e tre pishtarëve, në mënyrë konsistence kërkonte që amaneti i tyre të vazhdohej deri në realizimin e aspiratave shekullore. Nuhiu nuk shihte rrugë tjetër, pos rrugës që me të gjitha mjetet, madje dhe me luftë të veprohej për të çliruar atdheun e pushtuar nga sllavët e tej Karpateve.
Tashti Nuhiu përfaqësonte shembullin tipik të shumë heronjve të rënë para tij. Ai ndiqte rrugën e Hasan Prishtinës, Hoxha Hasan Tahsinit, Qemal Stafës e shumë të tjerëve.
Nuhi Berisha në mënyrë të hollësishme përshkruan ngjarjet e marsit të vitit Njëmijë e nëntë qind e tetëdhjetë e një. Këto ngjarje do të marrin trajtën e një zhvillimi gjithëkombëtar, duke i dhënë fund hamendjes se a duhet të jetohet në një shtet çfarë ishte Jugosllavia.
Autori Nuhi Berisha në librin “Pranvera e Luleve të Kuqe”, në mënyrë të qartë dhe shumë objektive paraqet fillimin e ngjarjeve të 81-it. Nganjëherë lihet përshtypja e një kronisti të ngjarjeve, duke portretizuar saktësisht mënyrën se si kishin filluar këto ngjarje të rëndësisë së veçantë historike. Ai ishte padyshim aktor në këto ngjarje, dhe përveç kësaj, frymëzues i një brezi që lirshëm mund të quhet “brezi i Republikës”.
Aq thjesht e bindshëm bëri shtjellimin, mënyrën dhe fillimin e Demonstrative të 81-shit, sa që lexuesi e ka të vështirë t`i ndahet librit, sepse rrjedha e përshkrimit nuk të lë të ikësh pa e lexuar dhe pa e parë fundin.
Ndër të tjera, në shkrimin “Dimra të vështirë” që nis shtjellimi i lëndës së librit, Nuhiu shkruan :…”pasi erdhën disa punëtorë të Qendrës së Studentëve biseduan me studentët dhe më në fund u përgjigjen: -Në daçi merrni këtë ushqim, në daçi lëni, tjetër nuk ka, as s`do të ketë! Atëherë një student i mëshoi tavolinës dhe u kthye nga studentët që hanin bukë duke u thënë: -Ngrehuni,çka po prisni,asnjë mos ta marrë këtë ushqim”! Filluan të përmbysen karriget dhe një vajzë e hodhi lart tabakun e ushqimit. U përmbysën tavolinat, karriget, u thyen pajisjet e mensës,dritaret, etj.
Në këtë mënyrë fillon Demonstrata e 11 Marsit të vitit 1981, për të cilën, Nuhi Berisha shkruan…”Filloi marshimi nga mensa për në qytet. Kalimtarët e rastit bashkëngjiteshin me studentët. Britmat e studentëve”- Duam bukë!-Duam kushte”!Nuk përfundonin dhe e tundën tërë qytetin.
Hovi i 11 Marsit mori dhenë dhe sikur u ngjall e tërë rinia, studentët, punëtorët dhe fshatarët. U bënë një të gjithë, edhe pse policia serbe u mundua me të gjitha forcat ta shtypte dhe të burgoste studentët, dhe të gjithë ata të cilët protestonin, në fillim për aspektet ekonomike e që më vonë u shndërruan në kërkesa politike.
Ishte rrethanë e vështirë, ngase, siç e sqaron autori, në disa raste të shumtët e profesorëve universitarë i përkrahin protestat për një jetë më të mirë, por kishte edhe të atillë, shkruan Nuhiu, që i shërbenin pushtetit, ndaj për një rast, nga ajo atmosferë, shkroi:”një profesor në orët e mësimit e quajti veprimin e studentëve “gomarllëk”, dhe studentët aty për aty iu përgjigjen…
Njëri prej studentëve i tha: ”Gomar je ti profesor!”
Profesori shikoi andej- këndej, por nuk diti kujt t`i drejtohet, u pendua që e filloi kështu dhe nisi t` i kërcënojë studentët, duke iu thënë se do të revanshohet në provime. Studentët filluan zhurmën e madhe, dhe një student i tha”: -ne kemi tash provime më të rëndësishme se tuajat!”
Nuhi Berisha i shpërfaq dy anë të medaljes: njërën anë mbështetjen e pakursyer përpos popullit edhe të një pjese të profesorëve, por dhe të atyre që pushtetin komunist jugosllav e shihnin si zgjidhja e vetme dhe e pa alternativë .
Këto demonstrata të përmasave të tilla ishin sinjal i një rruge të re që po e përshkonte Kosovën. Nuhiu përmes përshkrimit dhe vetë-pranisë, në mënyrë profesionale dhe intelektuale i paraqet këto ngjarje, të cilat më vonë do të merrnin trajtim historik dhe shkencor.
Ai e ndjente dhimbjen, por edhe vullnetin për ecje në drejtimin e duhur për realizimin e aspiratave. Dhimbja për shokët është një aspekt tjetër, që kishte peshën e rëndësisë në veprën e tij “Pranvera e Luleve të Kuqe”. Burgosjet, shfrenimi i atij aparati shtetëror, jo pak do të ngjallë ndjenjën e përballjes për herë të parë, por dhe bashkimin e njerëzve me halle të njëjta, paraqesin një binom tjetër, që bënte kapërcimin nga e kaluara para Marsit dhe e ardhmja pas 11 Marsit të vitit dramatik 1981.
Autori vazhdon më tej, me stilin e tij konciz përshkrimin e ngjarjeve të Vitit 1981. Një përshkrim të këtillë vështirë se mund ta gjesh edhe në publicistikën e sotme të Kosovës! Nuhiu si aktor i drejtpërdrejtë i krejt këtij shpërthimi, arriti që me penë të derdhë në letër tërë atë ngjarje, duke kapur madje dhe fijet e holla, episodet, nuancat, reagimet e vogla të ndodhive, psikologjinë e mjedisit që sajuan strumbullarin e përmasës të atyre ditëve të tendosura.
Fillimi i Demonstrative, sipas Nuhiut, sa vjen e rritet, veçmas në datën e 26 Marsit. Më tej, shpjegon se si ndërsjellash ndihmonin njëri-tjetrin, se si rritej turma, se si për herë të parë njiheshin mes vete me shokë deri atëherë të panjohur, etj. Këtu secili detaj shpie drejt qëllimit…
Secila situatë kushtëzon zmadhimin e kureshtjes…Të priturat dhe të papriturat tëhollojnë veshët, dy palë sy bëhen katër… Idealisti ndjell ndjenjat e besimit… Ai gjithsesi paraqet edhe ngazëllimin që kishte për shpërthimin e demonstratave te konviktet dhe afër sallës së sporteve. Rrethimin nga policia, njësitë speciale për të ndalur protestat, gazin lotsjellës, këngët patriotike e shumë gjëra të tjera, që padyshim paraqesin organizimin më të mirë pas viteve 68-të.
Parullat e fillimit, shkruan Nuhiu, ishin: “Duam shokët”,”Duam kushte”, Duam liri”,”Unitet”,Trepca e jona”,’’Poshtë tradhtarët”, kurse pak më vonë, më e madhe se të gjitha, dukej parulla “Kosova Republikë”. Pra, nga kërkesat për kushte më të mira, të tjerat gradualisht filluan të marrin dimension politik, ngase pikërisht ky ishte qëllimi i gjithë organizimeve ilegale, që nga koha e Adem Demacit e këtej.
Nuhi Berisha një pjesë të komunikimit me Azem Vllasin, aso kohe pushtetar krahinor, e paraqet në mënyrë autentike. Azemi ishte i deleguari i Komitetit Qendror të LKJ-së për t`i bindur studentët që të tërhiqeshin nga kërkesat e tyre, dhe mundësisht të luante rolin e shpërndarjes të demonstruesve këmbëngulës.
Ky ishte komunikimi i pjesshëm i Azem Vllasit me studentë, sipas Nuhi Berishës, në librin “Pranvera e Luleve të Kuqe”. Nuhiu shkruan: ”Ishte e para herë që po e shihja për së afërmi tradhtarin, Azem Vllasi, i cili ishte si një derr i majmur mirë. Fytyra i dukej e ënjtur nga shëndeti,kishte hyrë në mes të studentëve dhe fliste nganjëherë, por ishte tepër vonë që të dëgjoheshin fjalët e tij….Filloi të flasë dhe u mundua të arsyetohet, t`i mashtrojë studentët edhe me premtime. Por menjëherë u dëgjuan zërat,”hesht se s`kanë vend gënjeshtrat e juaja! Jemi ngopur me to”.
Takimi kishte zgjatur një kohë të mirë, e tërë koha kishte shkuar, duke u munduar që t`ua thyej mendjen studenteve për kërkesat që i bënin, por demonstratat nuk ndaleshin.
Shpesh herë ishte tensionuar situata në mes protestuesve dhe Azem Vllasit, mirëpo, shkruan Nuhi Berisha, ishte arritur një ujdi, që të lejohet biseda me të pa qenë i rrezikuar nga protestuesit.
Ishin momente kthese, ndërsa përballja kishte pasojat e saj. Shumë demonstrues të 11 Marsit ishin burgosur dhe keqtrajtoheshin në burgjet jugosllave.
Ai përmendi edhe përmasat që kishte marr kjo ngjarje, pothuajse, në të gjithë Kosovën, me kërkesa gjithnjë më të kristalizuara dhe më të unifikuara .Qendra e Prishtinës të njëjtën ditë dendësohej nga studentë, punëtorë, intelektualë dhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë së Kosovës.
Policia dhe njësitë speciale kishin reaguar, dhe dikur kah mbrëmja me forcë ishin shpërndarë demonstruesit në pjesë të ndryshme, por një pjesë e mirë prej tyre ishin kthyer në konvikte, sepse rrugët kryesore të gjitha ishin të mbyllura. Brenda në konvikte do të fillojë një histori e rëndë për studentët; ngase policia duke hedhur gaz lotsjellësi në çdo dhomë, duke ua thyer dyert dhe pastaj kë gjenin aty nuk i shpëtonte rrahjes, sharjeve, fyerjeve, lëndimeve trupore, si në kohën e kryqëzatave, policia serbe bëri akte dhune nga më të rëndat…Të gjitha këto bëma dhe të tjera të pa treguara, ndodhnin në një vend ku kërkoheshin vetëm të drejtat themelore njerëzore, që i kishin popujt tjerë të botës. Sipas Nuhiut, u arrestuan shumë shokë të tyre, u rrahën barbarisht, disa mbetën të plagosur, dhe, edhe çka nuk do të bëhej në emër të ruajtjes së rendit kushtetues të Jugosllavisë!?
Nuhiu vazhdon më tutje dëshminë e tij të drejtpërdrejtë: “më 26 mars 1981 u bë masakër mbi rininë e Kosovës, që kurrë nuk do ta harrojë populli ynë. Kjo qe gjakderdhje e madhe; në këtë ditë Jugosllavia titiste edhe njëherë shprehu urrejtjen e madhe ndaj popullit shqiptar, tregoi etjen e shovinistëve serbomëdhenj për gjak shqiptari, tregoi para botës fytyrën e vërtetë”.
Nuhiu duke elaboruar se çfarë ndodhi atë ditë, bëri një krahasim të natyrshëm historik ku shkroi: ”Ato që i bënë serbomëdhenjtë nuk i kishte bërë as fashizmi dhe as nazizmi gjerman gjatë luftës”
Rinia kosovare përballej me tmerrin më të egër, të cilën ndoshta as e kishte imagjinuar. Një krahasim i tillë i Nuhiut tregon qartë se çfarë ndodhi në këto demonstrata, dhe çfarë egërsie mbretëroi aty prej të gjitha anëve!… Mjetet që përdorte pushteti asokohe për të shuar ndjenjën liridashëse, për të mbytur kërkesat e ligjshme dhe plotësisht të natyrshme të studentëve, dhe të shtresës më përparimtare të kohës, ishin krejtësisht vrastare, gjakatare dhe çnjerëzore.
Nuhiu ishte i pajisur me njohuri intelektuale dhe revolucionare, meqë njihte historinë dhe luftërat e popujve të robëruar. Nga ai këndvështrim, ai ndjehej kurdoherë i etur për t`i njohur fatet e popujve të pushtuar….Dhe interesimi i tij përmbushej, pos tjerash nëpërmjet leximit…
Ai nuk ishte i rastësishëm në demonstrata… Ishte i përgatitur për këtë ditë, dhe s`kishte dyshim së kjo betejë me forcat raciste një ditë do të triumfonte.
…Autori i librit “Pranvera e Luleve të Kuqe”, vijon më tej, duke pohuar: “Edhe njëherë toka kosovare po vaditet nga gjaku, duke iu treguar armiqve dhe tradhtarëve se masakrat e tyre dhe armatimi nuk na frikëson, se populli i Kosovës ka zemrat më të forta se çdo armë e armikut”.
Nuhiu, shihet qartë, kishte zgjedhur rrugën qysh në rini, ndërsa çështjet ishin të ndara me pushtetin e asaj kohe, nuk kishte kompromis për shtetin e Kosovës. Në mënyrë koncize foli për rënien e shokëve, guximin dhe pathyeshmërinë e rinisë, që shprehej kundrejt dhunës dhe egërsisë serbe.
Paraqitje me ritëm të gjallë të përjetimit dramatik të Ngjarjeve të Marsit, vështirë se mund të hasen kund, sikurse i përshkruan Nuhi Berisha, meqë si aktor i drejtpërdrejtë, pjesëmarrës i ngjarjeve shpërfaqi bëmat e Marsit heroik e tragjik të Vitit 1981, dhe me mençuri gjeti mjetin e duhur inventiv, që atë vrull liridashës të veshte me tërë larushinë e stinës politike, me një metaforë të zgjeruar e tejet të qëlluar poetike:“Pranvera e Luleve të Kuqe”!
Kënga popullore e shprehu më së miri përflakjen e Pranverës së Vitit 1981:
“Doli sheshit për të kërkuar
të drejta dhe liri.
U vra, u pre u torturua,
e shtrenjta rini.
I tanë populli u bashkua,
me rininë trime kosovare,
me grushta iu përgjigjën
shtypjes barbare.”
Dëshmitë e shkruara të Heroit tonë ruajnë koherencën e ngjarjeve, që filluan më 11 mars e deri më 26 mars të Pranverës së Vitit 1981, aq sa kur e lexon librin të zgjohen përshtypje se ke qenë dhe vetë aty, në rrjedhën historike, andaj me një frymë do ta lexosh të tërin deri në fund.
Nuhiu si personazh i Vitit 1981, kur njëkohësisht studionte, vëzhgonte dhe merrte pjesë në të gjitha takimet, organizimet si dhe debatet e asaj kohe, që ishin të vrullshme dhe me përmasa të shtrira në tërë Kosovën. Mprehtësia intelektuale e Nuhiut dhe brumosja atdhetare, bënë që përshkrimi i hedhur në letër për këto ngjarje, të mbesin anale, pjesë e historiografisë dhe e shkencës shqiptare në tërësi.
Prilli vinte me gëzimin e besimit se lufta për të drejta po merrte kahe dhe përmasa ndërkombëtare. Megjithatë, aspekt tjetër i rëndësishëm ishte bashkimi i tërë brezave për të shpërfaqur hapur kërkesat dhe të drejtat për liri.
Nuhi Berisha në shkrimin “Prilli i kuq” arrin në plotësi të përmbushte boshllëkun për këto ngjarje. Ai shkruan për masivitetin, parullat, vrapin e njerëzve për t`iu bashkuar demonstratave, por edhe për dukurinë a fenomenin rrënues të tradhtisë, ngase ai shprehej pa ekuivokë, ndërsa shtresimin e gjakprishurve i quante “ tradhtarë të kombit”.
Jehonën e fjalimeve gjatë 1(Një) Prillit Ai e përshkroi:
“Këtu, në këtë shesh, kishin folur bijtë dhe bijat e popullit mbi gjendjen e Kosovës. Por mbresa më të mëdha kishte lënë në popull fjalimi i “punëtorit” aty hipur në bli, mu para hundëve të tradhtarëve. Fjalimi i ”punëtorit” e bëri popullin demonstrues që t`i bëjë sytë katër… Secili kishte dëshirë ta shihte apo t`ia dëgjonte zërin”. Fjalimi i “punëtorit”, siç shkruan Nuhiu, ”ua ndezi zemrat flakë demonstruesve.” ”Punëtori” në fund kishte thënë:”Nëse është nevoja, rrugët e Kosovës dhe toka e saj prapë do të skuqen nga gjaku i popullit kosovar”!
Kërkesat e Demonstratave të Pranverës së 1981-it, tashmë, më 1 prill të këtij viti, u qartësuan, sidomos nga ata që mbajtën fjalimet, në veçanti nga “punëtori’(Hydajet Hyseni).”Punëtori” zbërtheu thelbin e kërkesave që konsistonte në kërkesën sublime, emblematike “Kosova Republikë!”;”Lidhja historike”;”Lironi shokët”; ”Poshtë tradhtarët!… Kishte edhe shumë parulla tjera.
Familjet ishin bërë një me demonstruesit, duke u përkujdesur për të plagosurit dhe të lënduarit e shumtë. Ata i mbajtën në shtëpi deri sa u shëruan, shkruan Nuhu Berisha.
Se çfarë përmase kishte demonstrata e 1 dhe 2 Prillit të Vitit 1981, mund të shihet edhe në përshkrimin që i bëri një ushtar kroat, që kishte qenë tankist në Kosovë në kohën e Demonstratave: ”Fëmijët në radhë të parë vinin drejt tankut. U afruan aq afër sa e kapën tankun për gryke, dhe nuk lëshonin rrugë edhe sikur t`i shkelja” Ushtari kishte thënë: “unë më tej nuk shkoj se këtu edhe fëmijët e paskan vendosur të vdesin, dhe një popull i tërë nuk shkelet me taksë!”
As në Luftën e Dytë Botërorë, thekson Nuhiu, aq rafalë nuk kishte pasur dhe përleshje, sikur më 2 prill në mes të demonstruesve dhe forcave serbe, respektivisht përballë arsenalit të hekurt të një shteti që quhej Jugosllavi!
Ishte paradoksale çfarë ndodhte në Kosovë, kur një popull, i cili ishte shtypur për 40 vite në të gjitha aspektet, dhe me asgjë interesat e këtij populli nuk lidheshin me shtetin serb, megjithatë mbahej i robëruar, pa të drejtat themelore, i diskriminuar, i shfrytëzuar ekonomikisht e në çdo pikëpamje tjetër. Ndjenjat e për bashkimit të popullit rreth kërkesave të ligjshme kishin përfshirë tërë Kosovën, duke u shtrirë në çdo cep të saj. Burgosjet ishin përditshmëria e Kosovës, pra shqiptarët duhej të jetonin me psikologjinë e kurdisur për ta: plumbat ose burgjet! Nuhiu i mbrujtur me idealet e atdheut, pos tjerash shkruan: “Armiqtë dhe tradhtarët pa mëshirë do t`i sulmojmë çdo herë për vdekje. Nuk do të kemi mëshirë, e rëndë do të jetë hakmarrja e popullit mbi armiqtë e tradhtarët”, përfundon Nuhiu.
Vepra “Pranvera e Luleve të Kuqe” paraqet dy anë të medaljes sonë historike:
ana e parë është përpjekja titanike e rinisë shqiptare për të qenë të barabartë dhe të lirë, qoftë duke e dhënë dhe më të çmuarën e njeriut-jetën dhe, ana tjetër shtresimi që i mbanin ison pushtetit shtypës, siç ishin shqiptarët shërbëtorë të pushtetit jugosllav.
Ky libër i vë në pah këto dy medalje aq natyrshëm, sa cilido nga ne mund të ketë qasje dhe njohje thelbësore mbi ngjarjet e Vitit 1981.
Autori vijon shkrimin e titulluar: “Dështimi i një demonstrate, shpallja e orës policore”, për të vazhduar me të njëjtin stil kursin kritik-ironik: “Burgosjet gjatë demonstratave- Prishtina me Kamp të ri të të burgosurve”; “Mbyllja e shkollave dhe e Universitetit të Kosovës”; ”Pas Demonstratave në Kosovë”; “Vera e vitit 1981”; “Dënimet e të burgosurve”; ”Tash po dihet kush ishte ai”; ”Demonstratat e vëllezërve mërgimtarë’, kështu arrin te përmbyllja e veprës me shkrimin “Fillimi i vitit shkollor 1981-82”.
Në fund të librit, Nuhiu përmend edhe vrasjen e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, në këtë kontekst shkruan: “Në radio, shtyp e televizor u lajmërua për vrasjen e tre bijve të Kosovës në mërgim, në Untergrupenbah. Nuk patën turp jugosllavët të thonë: u vranë në mes veti kur të gjithë e dinë se mbi ta qëlloi dora e UDB-së jugosllave…
Nga të gjitha anët njerëzit shkuan t`i ngushëllojnë familjet e të rënëve dhe dhimbjen ta kishin së bashku”. Ishte vrasje e rëndë për gjithë lëvizjen kombëtare, dhe assesi Nuhiu nuk mund të rrinte i qetë para atyre që bënë këtë vepër makabre. Çfarë racizmi i pa parë?! As eshtrat e tyre nuk i lanë të kthehen në atdhe. Demonstratat e mëvonshme emrat e Jusufit, Kadriut dhe të Bardhit i kishin simbol të guximit dhe ecjes drejt fitores dhe realizimit të aspiratave shekullore.
Kjo vepër përfundon me një qartësi të plotë të autorit, tashmë dëshmor i kombit, Nuhi Berisha! Si përmbyllje për dëshmitë e tija, ia nënvizoi konstatimin monumental për brezat pasardhës: ”Mbi tokën tonë ka pasur armiq të egër, të armatosur gjer në dhëmbë, por eshtrat e tyre i lanë në tokën tonë, e kështu do ta pësojnë edhe këta të sotmit. Gjaku i derdhur nuk do të shkojë kot. Të bashkuar do ta mundim çdo armik.’
Porosia e përmbylljes
Duke e përmbyllur këtë analizë të veprës “Pranvera e Luleve të Kuqe” të Nuhi Berishës, me një vështrim që e ka bërë në parathëne të librit, autori me pseudonimin Bjeshkë Fieri, ndër të tjera shkruan: ”Nuhiu, bir besnik i Kosovës historike, fill pas rënies së shokëve në demonstratë, duke u angazhuar vendosmërisht dhe duke u betuar përjetësisht, se”mbi gjakun e derdhur të bijve të Kosovës nuk duhet të shkelë asnjë shqiptarë i ndershëm, sepse ai është i shenjtë!”
Nga një konceptim i tillë Nuhiu e shihte ardhjen e pranverës, andaj dhe vetë titulli i librit është sinonim i përjetimeve të rënda që po e prisnin popullin… “Lulet e kuqe” janë sinonime të bukurisë dhe të gjakut rinor të derdhur për pranverën e lirisë…Bukuria e pranverës po ujitej me gjakun e bijve më të mirë. Prandaj, titulli i librit është referencë e ngjarjeve, në stinën kur pranvera nuk është e rëndomtë si herëve tjera. Në këtë konfiguracion del qartë madhështia dhe krenaria e rinisë të këtij populli, për ecje tutje hapësirës të saj pa u penguar.
Po ashtu, Nuhiu përgatiti një broshurë të vogël “Mendime mbi organizimin” ilegal në Kosovë. Në këtë broshurë Nuhiu paraqiste një spektër të gjerë të funksionimit dhe organizimit të mekanizmit ilegal në Kosovë…
Nga këto qasje të shkruara vërtet ndjehet kultivimi i traditës kombëtare, ngritja intelektuale e standardizuar, e ngjizur mbi një karizëm, karizmin kombëtar. Broshura “Mendime mbi organizimin”është e paraqitur në formë sentencash. Në këtë broshurë konceptohet ana organizative: takimet në ilegalitet, strehimi i literaturës, kujdesi e pakujdesia , parimet e veprimit ilegal, etj.
Të gjitha këto çështje lidhen me veprime konspirative, mirëpo paraqesin edhe fragmente të çmuara për përvojën e mendimin teorik e praktik, për arritje efektesh në veprimtarinë ilegale dhe legalizimin e saj. Ndër të tjera, sa i përket çështjes organizative, Nuhiu theksonte: “Në radhët tona do të hyjnë shokë nga të gjitha masat popullore…” Mandej: “Një rëndësi të madhe do të ketë edhe armatosja e shokëve me revole, dhe njëherësh çdo shok i yni duhet të interesohet për sigurimin e çdo lloj arme që kanë mundësi”.
Nga këto pohime të Nuhiut, shihet qartë gjithanshmëria dhe angazhimi i tij për t`i bashkuar të gjithë forcat në luftën kundër pushtuesit. Ai zgjidhjen e problemit të Kosovës e shihte pashmangshëm përmes luftës, prandaj e kërkonte armatosjen e njerëzve të organizuar, por nëpërmjet një bashkimi të vetëm dhe pa grupime politike..
Pos tjerash, Nuhiu theksonte: ”Jemi në luftë dhe kalitja fizike na mundëson që gjatë dhe pas kryerjes së aksionit, t’i humbim armikut parasysh, pastaj do të ndeshemi edhe ballë për ballë me të .Ne duhet të jemi në çdo pikëpamje më të fortë, më të përgatitur se qentë e zagarët e Serbisë”.
Përgatitja fizike, si pjesë e angazhimit, ishte referncë për t`i përballuar sfidat e shumta që Nuhiu i parashikonte si përballje të pashmangshme…
Dyshja heroike: Nuhi Berisha-Rexhep Mala
Pas burgosjes së një numri të madh të shokëve të idealit, Nuhiu sërish merr forcë dhe bën punë organizative, duke shtrirë rrjetin organizativ ilegal në tërë Kosovën e atyre rrethanave.
Formimi i LRSHJ-së Nuhiun e gjeti në krye të detyrave, dhe do të jetë strumbullari kryesor i saj. Veprimtaria e tij e pandalshme në njërën anë, dhe mosha aq e re në anën tjetër, e vështruar nga këndi kohor janë unikate për historinë shqiptare. As tek popujt që kanë histori të begatshme dhe personazhe të ndryshme, nuk mund të gjesh figurë-model të tillë më dinjitoz, më universal, më të baraspeshuar në një taban, në tabanin kombëtar, po të shihej gjithanshëm e tërë veprimtaria dhe krijimtaria e Nuhi Berishës, që ende nuk është ndriçuar tërësisht.
Gjatë asaj periudhe të bujshme e komplekse, shumëdimensionale për paraqitjen e organizimit të brendshëm, përgatitja për krijimin e parakushteve për një nivel ushtarak, referohet në pikën kulmore të Nuhiut, i cili para së gjithash shfaqet me tërësinë e kompleksivitetit për një pasqyrë reale në hapësirën kombëtare.
Rënia në burg e një numri të madh shokës, si Ahmet Isufi Zija Shemsiu, Enver Topalli, Sami Kurteshi e shumë të tjerë, te Nuhiu reflektohet mjaftë. Megjithatë, nuk e nënshtruan, as mundën ta ndalin, se rruga e nisur ishte me pengesa e mungesa të shumta, edhe pse qe e rëndë ndarja prej shokëve. Në kohën kur Nuhiu hazëronte shtigjeve të ilegales në Kosovë, kur frymëzimi i pashembullt i shumë djelmoshave për heroizmat e heronjve tanë, që nga Gjergji e këndej ishte ngjitur në piramidën më të lartë, kur burgjet famëkeqe serbe merrnin bijtë më të mirë të Kosovës, secilën herë në një farë mënyre i hapej një fije shprese…
Çka ndodhi? Nga burgu lirohet i burgosuri që dha shembullin më të mirë se si luftohet për të drejtat, identitetin dhe dinjitetin shqiptar, simboli i qëndresës Rexhep Mala. Nuhiu gjatë veprimtarisë së tij kishte një parandjenjë se dalja e Rexhepit nga burgu, në maj të vitit 1983, do të mundësonte përbërjen, binomin më të mirë të luftës ilegale. Dhe erdhi dita kur dy kolosët e veprimit të takohen pikërisht te Gërmia, në Prishtinë me ndihmën e Teutë Hadrit, një veprimtare e hershme e luftës ilegale.
Sipas Teutës: u përqafuan aq ngrohtë sa të ishin njohur me vite të tëra!… I bashkonte vuajtja, atdhedashuria, ideali, ndaj takimi i shëmbëllente ngazëllimit për forcimin e idealit dhe të mësymjes së dyfishuar. Nuhiu, një djalosh i 23 pranverave, kurse Rexhepi në moshën e Nuhiut i burgosur, i kishte kaluar 30 pranvera. Nuhiu do të thoshte më vonë: “Për mua aty fillonte një jetë e re, tani kisha afër njeriun që vetëm e kisha ëndërruar”! Prej këtij takimi ata më nuk do të ndahen, sepse merreshin me riorganizimin e organizimit ilegal në Kosovë.
Nuhiu përqafoi përjetësisht luftën deri në çlirimin kombëtar, andaj shtrirja organizative në gjithë Kosovën paraqet nyjën mbi të cilën lidheshin grupet e mëvonshme të veprimtarisë politike çlirimtare. Nuhiu dhe Rexhepi, dy udhëheqësit e LRSHJ-së, u hetuan nga kriminelët e Beogradit, dhe më 11 janar 1984, në një lagje të Prishtinës u rrethuan, përderisa tërë natën lufta e të pa barabartëve nuk kishte të ndalur.
Ushtria e policia jugosllave, kishte bllokuar Prishtinën dhe mëngjesi i 12 janarit, me shkreptimat dhe luftën e paparë, ua shuajnë jetën dy djelmoshave të rinj..Ata nuk u dorëzuan, duke bërë luftën ashtu si ishin të përgatitur, edhe pse ishin vetëm dy. Pas rënies së Nuhiut dhe Rexhepit, në një komunikatë të LRSHJ-së, ndër të tjera thuhej: “Ju njoftojmë se në mes 10 e 11 janarit 1984, armiqtë e kombit shqiptarë i vranë mizorisht në Prishtinë, dy djem të Kosovës , dy djem nga më të mirët të popullit tonë: Rexhep Malën, anëtarin e udhëheqësish më të lartë të LRSHJ-së dhe Nuhi Berishën, udhëheqësin e Shtabit Operativ të LRSHJ-së për Universitetin “Kosova”.
Në rrugën tonë drejtë lirisë ranë edhe dy shokë, ranë edhe dy luftëtarë të lirisë, ranë për të mos vdekur kurrë dy udhëheqës, dy tribunë, dy militantë, dy heronj të popullit tonë trim, i cili do t’i mbajë për jetë në gji, do t’i rrisë në këngë dhe do t’ua marr hakun”
Nga ky akt trimërie shihet se Nuhiu e Rexhepi ishin tejet të përgatitur, dhe jeta e tyre ishte e lidhur ngushtë me ardhmërinë e Kosovës.