IBRAHIM RUGOVA
“NOSTALGJI ANTIKE” NA KUJTON VITALITETIN ANTIK
( Fjala hyrëse e Ibrahim Rugovës, për librin me poezi të zgjedhura të Musa Ramadanit, NOSTALGJI ANTIKE”, botuar nga Redaksia e botime “Rilindja”, sipas përzgjedhje së vetë Ibrahim Rugovës )
Ndërsa po përgatisja këtë libër, NOSTALGJI ANTIKE, të poezisë së Musa Ramadanit, m’u kujtua një mbrëmje e vitit 1969, kur bashkë me autorin lexonim korrekturën e fundit të librit të tij të parë, “Mëkatet e Adamit”. Ishte gëzimi i tij i parë, që e ndjenim sëbashku, si miq të brezit, të një brezi që donte të thyente lëvozhgën e mendimit dhe të jetës dogmatike. Ishin ato netë të një bohemie poetike të njerëzve të rinjë, që po hynin në botën e artit, në botën e jetës. Ishin ato vjet të revoltës së studentëve në mbarë Evropën. Evropa po çlirohej shpirtërisht nga lufta e dytë dhe, fundi i Luftës së Ftohtë të etheve atomike. Kjo revoltë i përfshiu edhe studentët dhe të rinjët e Kosovës. Nuk u cilësua si revolt e gjashtëdhjetetës europiane të çlirimit shpirtëror, po si “nacionalizëm dhe irredentizëm”. Po edhe kjo s’prishë punë, sepse hymë në rrjedhat e idealeve europiane, këtu në Prishtinë. Flitej se ishin bërë padrejtësi ndaj shqiptarëve. Mundohe të ndreqej diçka. Në ato vite për herë të parë e shihnim publikisht dhe oficielisht flamurin shqiptar. Së pari i shihnim në shitje librat nga Shqipëria. Zu të funksionojë tregu shqiptar kulturor.Ndjenim një gjallërim të Qenies sonë.
Libri i parë i M.Ramadanit u prit mirë. Pasuronte poezinë e kohës me nivelin e abstraktes. Ndoshta për kohën dukej artificial. Kështu duket çdo gjë që këcen mbi mesataren.
Dhe rodhën vjetët, e Ramadani u bë njëri ndër shkrimtarët tanë të shquar në poezi e në prozë. Tema e mëkatit nga libri i parë thuajse u bë një temë obsesionuese në gjithë poezinë dhe prozën e tij të mëvonshme duke nisur nga fillimi I botës, antika, historia dhe koha më e re. Dhe sot, tituli i librit të dytë “Thirravaje”, më bëhet se lidhet me gjëmën në vajtimet shqiptare për të vdekurin, njëherit i antikës iliro-shqiptare, të cilin e shënuan shkrimtarët tanë të parë, Budi e Bogdani, që quhet, “thirrje vaj “ , “me thirrë vaj “ e që ende gjallon në Veriun shqiptar. Kështu më duket sot kuptimi i titullit të librit, mbasi kemi zënë ta njohim më mirë traditën tonë.
I thashë këto kujtime dhe impresione kohe, sepse duke u marrë me politikë këto vitet e fundit, e sidomos sivjet, nuk pata kohë të shkruaja diçka më special për këtë libër të zgjedhur, sepse për të mbajtur jetën dhe artin jemi bërë “zoon politicon “, siç do thoshtë Aristoteli dhe nuk munda t’ia kthej dëshirën e besimin autorit dhe redaktorit të këtij koleksioni të përgatis këtë botim të zgjedhur.
*
Kjo zgjedhje me titull NOSTALGJI ANTIKE, sikur shpreh dëshirën e autorit për antikën universale dhe nacionale dhe për kohën e tij. Kaq dhe nuk po hy më në interpretim.
Thashë se atëherë thuhej se ishin bërë padrejtësi ndaj shqiptarëve, e sot, ato, pas njëzet vjetësh po bëhen në formë më të ashpër. Është kohë tronditjesh të jetës dhe artit. Histeria kundër kulturës po bëhet më e vrazhdë: duan të mos flasim e të mos shkruajmë më libra në shqip, në njërën nga gjuhët më të vjetra të Evropës. Historia na thotë se këso histerishë patëm shumë, po megjithatë libra u shkruan në shqip. Sot, më të ngritur se kurrë, duam të shkruajmë më shumë. Dhe, duhet të punojmë që të shkruhen më shumë, se kjo është logjikë e jetës dhe e veprës. T’i mbrojmë ato që i kemi dhe t’i bëjmë ato që s’i kemi.
Më me zell do të shkruaja një analizë “ të pastër”, kësaj here, por ç’të bëjmë kur është kohë e tillë kur duhet mbrojtur dhe mbajtur jetën, njerëzit dhe librat, miku im i dashur shkrimtar dhe ti lexues i çmuar. Por, edhe kjo është kritikë. Që, edhe kujtimet e reja t’i lëmë si dokument se gjithmonë kemi vuajtur për dokumente që na u zhdukën shumëherë, se me njerëz ia kemi bërë disi. Vitaliteti antik nuk u shua për anjëherë. Ishim të aftë e të gjallë për të ekzistuar dhe për të vazhduar. Dhe, ndoshta, për ato gjëra të humbura, “ dokumenete” , për mbijetesat e tyre dhe për ne të gjallët, na kujton këtë ky titull i librit të autorit, “Nostalgji antike”. Për Vitalitetin antik …
*
Dhe, ja, këtu, po i ndërpres kujtimet për të shkuarën dhe refleksionet për të tashmen individuale dhe të përbashkët, e po jap në vazhdim një kritikë të shkruar para sa vitesh me rastin e botimit të librit, EUGJENIKA E TRI DETEVE, si vështrim më i thellë për këtë vepër të autorit, që prekë edhe kredon krijuese të përgjithshme të tij.
Prishtinë, 24 korrik 1990
/“AGMIA” revistë letrare-kulturore/