Njësitet e specializuara të xhenios të Forcës së Sigurisë të Kosovës, morën pjesë në pastrimin e shumë rrugëve në disa vendbanime të Kosovës, të cilat kishin mbetur të bllokuara si pasojë e reshjeve të mëdha të borës dhe temperaturave të ulëta.
Me kërkesë të Qendrës së Situatave dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave të Kosovës, njësitet e FSK-së kanë dalë në terren dhe kanë zhbllokuar disa rrugë të bllokuara nga bora në komunat Artanë, Dragashit dhe në fshatin Berishë.
Në Komunën e Artanës janë pastruar rrugët e disa fshatrave të kësaj komune të banuar kryesisht me popullatë të përzierë shqiptare dhe serbe. Po ashtu është pastruar edhe rruga për fshatin Berishë, ku janë të vendosura antenat dhe stabilimentet transmetuese.
Njësitet e FSK-së, vazhdojnë të jenë në gatishmëri, në rast të kërkesës nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Kosovës, që në çfarëdo situate të intervenojnë në pastrimin e rrugëve për t’iu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Kosovës.