/2L ONLINE/ – Njësia për Rini e Komunës së Gjilanit në një takim të përbashkët me organizatat rinore, këshillat e nxënësve, Këshillin e Veprimit Rinor Lokal (KVRL), Qendra Rinore, përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” dhe vullnetarët e komunës, kanë diskutuar për hartimin e planit vjetor të punës për rininë e Komunës së Gjilanit për vitin 2016.
Ne këtë takim të frytshëm pune kanë dalë në pah shumë projekte të ndryshme rinore për të cilat përfaqësuesit e organizatave janë të interesuara që të bashkëpunojnë me Komunën e Gjilanit gjatë viteve në vazhdim.
Genc Mustafa, udhëheqës i Njësisë për Rini në Komunën e Gjilanit në hapje të takimit ka inkurajuar përfaqësuesit e organizatave që të fillojë se bashku një etapë e re e bashkëpunimit mes institucioneve përkatëse, duke qenë aktiv dhe konkret ne propozimet e tyre për punën praktike të studentëve dhe natyrisht edhe në realizimet e projekteve tjera me rëndësi të veçantë për të rinjtë.
Këtë takim e përgëzoi Diar Ramadani, vullnetar i cili theksoj faktin se një organizim i kësaj natyre ka qenë shumë i nevojshëm dhe si i tillë ndodhë për herë të parë, duke dhënë disa propozime të cilat do të inkorporohen në planin e njësisë për rini, e të cilat kanë të bëjnë me trajnimin e rinisë nga të rinjtë dhe organizimin e talent show.
Po ashtu, Alora Hyseni, propozoi që të intensifikohen aktivitetet rinore sa i përket shfaqjeve, koncerteve dhe aktiviteteve tjera që mundësojnë promovimin e të rinjëve.
Në takim, kontribut dhanë edhe përfaqësues të tjerë të organizatave të lartëcekura si: Selim Daku, Valdrin Halimi, Xhejlane Mustafa, Mehmet Zylfiu, Gentiana Kqiku, Uran Salihu, Diellza Sylaj, Yllka Mustafa, Ylber Salihu dhe te tjerë. /2L ONLINE/