/2L ONLINE/ – Më, 16. 08. 2016, drita në fund të tunelit, për Malësinë e Bujanocit, e pritur që të duket me dekada e vite – u shfaq. Është dritë që do të vijë duke u rritur e cila do të mundësojë edhe realizimin e projekteve tjera për Malësinë e Bujanocit e posaçërisht të fshatrave të Bashkësisë Lokale të Zarbicës.
Pritje e gjatë, me shpresë e herë-herë me dilema. Po rrugëtimet e tilla kështu e kanë, më e rëndësishmja që angazhimi, shpresa e ëndrra për asfaltimin e kësaj rruge nuk u shuan. Ideali i bacës Ilaz e gjithë malësorëve nuk u venit. Të gjithë e dimë se si kanë rrjedhur punët për ndërtimin e kësaj rruge, që nga fillimi, që nga pas Lufta e Dytë Botërore.
Sa herë që flitet për këtë rrugë, s’ka se si mos të kujtohen të gjitha ato sakrifica të shqiptarëve të kësaj ane, këmbëngulësia që të ndërtohet e tani së fundmi të asfaltohet, s’ka se si mos të kujtohet kontributi i të gjithë banorëve të kësaj ane për hapjen e kësaj rruge, s’ka se si të mos kujtohen pengesat e mashtrimet e pushteteve të kaluara, s’ka se si të mos kujtohet gëzimi i hapjes së rrugës dhe qarkullimi i autobusëve të parë nëpër këtë rrugë, s’ka se si mos të kujtohen humbjet e mjeteve financiare që janë ndarë për asfaltimin e kësaj rruge që nga vitet e ‘80-ta të shek. të kaluar, s’ka se si mos të kujtohet edhe angazhimi i komunës së Bujanocit dhe organizimi i fundit i banorëve të Malësisë për grumbullimin e mjeteve financiare për participim në asfaltimin, e mbi të gjitha gatishmëria e bashkatdhetarëve për të dhënë përsëri mjete financiare për këtë rrugë.
Është vërtetë shpirti i madh i malësorëve, që përkundër zhgënjimit që kanë pasur gjatë gjithë këtyre viteve, nuk kanë hequr dorë kurrë dhe kanë kërkuar me këmbëngulësi që kjo rrugë të asfaltohet.
E zërat e paktë që nuk kanë qenë largpamës nuk duhet të kujtohen, se ka qenë i kuptueshëm frustrimi e zhgënjimi që kanë pasur nga mosrealizimi deri më tani i kësaj ëndrre.
Për këtë rrugë vlen të përmendet maksima: edhe 99 herë të rrëzohesh prapë duhet të ngritësh. Këtë e përjetuan, vërtetë, fshatrat e Malësisë së Bujanocit dhe ia dolën, sepse pas 99 rrëzimeve u ngritën.
Urime Malësi!
/ Ismet Tafili/