Pas një kohe jo të gjatë, u formua Kuvendi i LDK-së në Viti, me kriterin në bazë të numrit të banorëve që kishin fshatrat, ishin të emëruar kuvendarët. Me rastin e mbajtjes së Kuvendit të LDK-së në Viti, në Shtëpinë e Kulturës, që sot quhet “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, pati mjaft shumë diskutime nga kuvendarët, por pati edhe ndërpërerje të punimeve nga policia serbe. Mbledhjen e udhëhoqi Ramadan Musliu, të cilin, për një çast e morën policia, ne qëndruam në sallë derisa e liruan, e që ai prapë vazhdoi udhëheqjen e mbledhjes.
Shkruan: Sami ARIFI
Në mes të fshatrave, Sllatinat ishin të brymosur thellë me aktivitetet e çështjes kombëtare, që prej formimit të ish-Jugosllavisë, po edhe më herët, e deri në ditët e formimit të LDK-së.
Kishte jashtëzakonisht shumë të burgosur, madje edhe familjarisht, të rënë e të plagosur, ushtarë të UÇK-së, të keqtrajtuarë për aktivitete të çështjes kombëtare, të cilat do t’i përmend në një përshkrim të veçantë, meqë tash është tema për përpjekjet e formimit të Degës së LDK-së në Viti.
Në një mbrëmje, kishin ardhur në odën e Sami Arifit rinia e Sllatinës së Poshtme për të biseduar rreth formimit të një “Këshilli Nismëtar”, për formimin e një “Këshilli Koordinues” në Komunën e Vitisë, e ata ishin: Hajriz Mjaku, Fehmi Neziri, Fahrush Mjaku, Muhabi Neziri, Sami Demelezi, Xhelal Hoxha e të tjerë, me ta ishte edhe Musa Misini nga fshati Gërmovë, ndërsa nga Sllatina e Epërme u ftuan Nexhmedin Arifi, Shyqeri Gjinolli, Nazim Azemi, Vahedin Azemi, Ahmet Arifi e të tjerë.
Në diskutim e sipër u dha propozimi të formohej një “Këshill Nismëtar” për të koordinuar aktivitetin për themelimin e një “Këshilli Koordinues”. Për “Këshill Nismëtar” u caktuan: Hajriz Mjaku, Musa Misini dhe Sami Arifi. Për të qenë më unik në veprimet për themelimin e “Këshillit Koordinues”, u diskutua mjaft shumë. Mendimi unanim për propozimin e kryetarit të “Këshillit Koordinues”, në “Këshillin Nismëtar”, ishte të emërohet Ramadan Musliu nga fshati Begucë, meqë dukej se do t’i plotësonte kushtet për këtë përgjegjësi mjaft të lartë.
Në mes të tjerash, ishte propozimi për t’i fut në Këshill disa politikaj, intelektualë që ishin më parë në disa funksione politike të ish-pushtetit të mëhershëm. Mendimet nga të pranishmit ishin të ndryshme, mendohej se vështirë mund të pranojnë ish-politikajt të vëhen në funksionim për një gjë të tillë. Për sa i përket se a do të pranonin apo jo të hynë në “Këshillin Koordinues”, Sami Arifi në odën e tij tergoi një anekdodë në të cilën tha:
“Në ramazan, një kryefamiljar kishte thirrur mysafirë për iftar, ishte koha e iftarit, mysafirët me kryefamiljarin po prisnin kur po ndezën dritat e xhamisë, që në të njejtën kohë binte edhe tupani i fshatit për të bërë iftar, madje edhe i kishin vu orët e xhepit në sofër, nga se kishin qenë shumë të uritur, kishte ardhur koha për të bërë iftar sipas orëve të tyre, por djali i kryefamiljarit i cili ishte jashtë për t’i vërejtur dritat dhe për ta dëgjuar tupanin, s’po jepte lajmërim se a janë ndezur dritar dhe se a po bie tupani, sigurisht ai s’ishte i uritur, meqë s’kishte ramazan,…atëherë kur erdhi koha për iftar, me orët që i kishin vendos mysafirët në sofër, kryefamiljari thirri, o bir a u ndezën dritat, a është kah bie tupani? ,ai u përgjigj, po babë po, u ndezën edhe tupani po rrah, babai i tha – po pse s’po trgon o bir, a po i pret edhe surlet a?! Pra, ishte koha, nga se tupani kishte rrah, dhe dritat ishin ndezur, s’kishte kohë të pritet më për surle”.
Prej të treve që ishim caktuar në “Këshill Nismëtar”, nga masa që ishin në këtë odë u udhëzuan Sami Arifi dhe Musa Misini që të bisedonin me disa që mendonim se mund të kontribojnë në këtë kohë. Të nesërmen ne biseduam, ata ishte për të dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim, por në mes të tjerave, sa mbaj mend, thoshnin të presim vendimet e “Plenumit të gjashtëmbdhjetë të Lidhjes Komunistëve të Jugosllavisë”, por Musa Misini iu përkujtoi atyre anekdodën që ishte treguar në odë se më s’ka kohë për të pritur.
Pas disa ditësh “Këshilli Nismëtar” kishte arritur t’i informoi që të mblidhen një masë afërsisht prej 30 vetash të zgjedhur në pikëpamnje kombëtare dhe të takohën në Viti, te “Stacioni i Autobusëve” për të gjetë një lokal për të caktuar “Këshillin Koordinues”, ishte një përcjellje shumë e madhe e policisë, ishte vështirë për të gjetë vend në Viti. Në ato çaste na ka vërejtur një taksist i Begucës, që quhej Sylë Haliti, i cili e kishte shtëpin afër Vitisë, ai sapo ishte ndar nga vëllezërit e tij, ishe në shtëpi me shoqën dhe fëmijët e tij. Ai, pa paralajmërim në shtëpi, na ofroi mundësinë që mbledhja për formimin e “Këshillit Koordinues” të mbahet tek ai, edhe ashtu ndodhi, aty u formua “Këshilli Koordinues i LDK-së për Viti” me kryetar Ramadan Musliun, i cili u caktua nga anëtarët e Këshilli.
Anëtarët që ishin në këtë Këshill nuk më kujtohen të gjithë, por, po përmend vetëm disa që kam mbajtur mend, këta ishin: Hajriz Mjaku, Fahrush Mjaku, Muhabi Neziri nga Sllatina e Poshtme, Nexhmedin Arifi, Sami Arifi nga Sllatina e Epërme, Hamit Salihu, Bushat Zuka, Rrahman Halili nga Smira, Remzi Sahiti nga Budrika, Musa Misini nga Gërmova, edhe shumë të tjerë që sigurisht do të ndriçohen në një shkrim të radhës. Nga Bashkësia Lokale e Sllatinës së Epërme, në “Këshillin Koordinues” u caktua Ramiz Rexhepi, u caktuan edhe disa të tjerë që përfaqësonin lokalitetet e tyre.
Pas disa ditësh, për t’i koordinuar më mirë aktivitetet me “Qendrën e Lidhjes Demokratike në Prishtinë”, një grup aktivistësh nga Komuna e Vitisë kishin kontaktuar me Qendrën e LDK-së. Në atë grup ishin: Ramadan Musliu, Bajram Jahiri, Sami Arifi, Rrahman Halili, Musa Misini, Jakup Jahiri, Hajriz Mjaku, Haki Alidema, Ramiz Rexhepi, Remzi Sahiti, Fehmi Zeqiri, Idriz Zejnullahu dhe të tjerë që s’më kujtohen. Aty u formua një “Këshill Inicues”, që do të përgatiste formimin e Kuvendit Komunal të LDK-së, nga i cili Kuvend do të zgjedhej kryesia e LDK-së në Viti dhe delegatët për në “Kuvendin Qendror” të LDK-së në Prishtinës, që do të përfaqësonin Komunën e Vitisë. Se kush ishim në atë “Këshill Inicues”, të caktuar s’më kujtohet.
Pas një kohe jo të gjatë, u formua Kuvendi i LDK-së në Viti, me kriterin në bazë të numrit të banorëve që kishin fshatrat, ishin të emëruar kuvendarët.
Me rastin e mbajtjes së Kuvendit të LDK-së në Viti, në Shtëpinë e Kulturës, që sot quhet “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, pati mjaft shumë diskutime nga kuvendarët, por pati edhe ndërpërerje të punimeve nga policia serbe. Mbledhjen e udhëhoqi Ramadan Musliu, të cilin, për një çast e morën policia, ne qëndruam në sallë derisa e liruan, e që ai prapë vazhdoi udhëheqjen e mbledhjes.
Në këtë Kuvend u zgjodhën me vota të fshehura Kryesia e LDK-së në Viti si dhe delegatët e Vitisë që do të përfaqësonin “Kuvendin e Qendrës” së LDK-së në Prishtinë. Nga Kuvendi i LDK-së në Viti u udhëzua kryesia që, me vota të fshehura ta zgjedhin kryetarin e LDK-së në Viti. Anëtarët e Kuvendit me vota të fshehura kishin zgjedhur kryesinë në përbërje të këtyre personave: Ramadan Musliu, Hajriz Mjaku, Jakup Jahiri, Sami Arifi, Musa Misini, Remzi Sahiti, Kristë Rama si dhe dy zonjat e nderuara Mahije Halili dhe Minavere Salihu. Kryesia me vota të fshehura zgjodhi Ramadan Musliun kryetar të Degës së LDK-së në Viti. Delegatët e zgjedhur në Kuvendin e LDK-së në Viti ishin: Fahrush Mjaku nga Sllatina e Poshtme, Nexhmedin Arifi nga Sllatina e Epërme e disa të tjerë që s’më kujtohen.
Kryesia e LDK-së në Viti zhvilloi një punë mjaft të madhe të udhëhequr nga Ramadan Musliu. Roli i LDK-së në popull ishte mjaft i madh. Lidhja Demokratike në komunën e Vitisë, pothuajse, luante një rol të lëvizjes gjithëkombëtare. Roli i saj ishte dominant në formimin e institucioneve paralele të Kosovës, kundër Serbisë, që u ndëshkonte vazhdimisht nga dhuna serbe. Aktivistët e LDK-së ishin gjithnjë në përpjekje për të formuar institucionet paralele, e në veçanti “Këshillat Humanitare”, për të grumbulluar mjetet dhe për t’i shpërndarë ato në institucionet që punonin si dhe për t’ju ndihmuar njerëzve në nevojë, që s’ishin të pakët, meqë pushteti serb i kishte larguar tashmë të gjithë nga puna.
Një rol shumë të madh në këtë drejtim e luanin mërgimtarët e Komunës së Vitisë, po, edhe qytetarët e kësaj komune. Aktivitetet bëheshin të gjitha vullnetarisht, falas, dhe në forma shumë të vështira, nga se mjetet e LDK-së, por edhe ato përsonale për transport mungonin, pra, aktivitetet shumicën e rasteve bëheshin në këmbë, për shkak të mungesës së veturave. Unë po përmend vështirësitë dhe ndëshkimet që pësonin aktivistët e LDK-së gjatë aksioneve të tyre në formimin e “Këshillave Humanitare” në kuadër të LDK-së.
Kryesia e LDK-së, po edhe njerëzit që ishin të gatshëm për të ndihmuar, bënin përpjekje për të kontaktuar në fshatra me njerëzit që ishin të gatshën të merrnin përgjegjësitë për formimin e “Këshillave Humanitare” nëpër nëndegë. Një aktivitet të tillë në shumicën e fshatrave të Komunës së Vitisë, e në veçanti në fshatrat e rrafshit të Komunës së Vitisë, e bënin së bashku në këmbë Fahrush Mjaku, Sami Arifi dhe Muhabi Neziri, ku edhe ia arritëm të mbahej një mbledhje në Sllatinën e Epërme në Shkollën Fillore, atëherë e ashtquajtur “Liria”.
Në Sllatinë të Epërme u grumbulluan më se 50 veta – para se të fillonte mbledhja, u caktua Sami Arifi, si nikoqir i fshatit, që të udhëheqte mbledhjen. Pas 15 minutave arrinë një makinë e policisë serbe në afërsi të oborrit të shkollës, vëren se këtu është duke lëvizur diçka. Të pranishmit në mbledhje vërejtën policinë, meqë klasa ku mbahej mbledhja kishte dritaret përball oborrit, ata propozuan të ndërpritet mbledhja ose të ndërrohet lokacioni, meqë vetura e policisë nuk kontaktoi me ne, vazhdoi rrugën për në Viti. Unë, meqë udhëhiqja mbledhjen, si nikoqir i fshatit, edhe mbaja përgjegjsi, ju thash të pranishmëve se mbledhja s’bënë të ndërpritet, se është bërë punë e madhe deri te ardhja e kësaj mbledhjeje.
Atëherë, Vahedin Azemi, i cili ishte i pranishëm në mbledhje, ish i burgosur politik me dhjetë vite burg për çështje kombëtare, u ngrit në këmbë e tha: “Unë kam shtëpinë e mixhës që e kemi ble, mixha është shpërngulur në Ferizaj, shtëpia është e lirë, mund t’i vazhdojmë punimet aty”.
Ashtu ndodhi, shtëpia e Vahedinit s’ishte larg shkollës, dhe ishte e rrethuar me mur. Të gjithë shkuam aty, pas afërsisht 40 minutave kishin arritur shtatë pincgauver të policisë, të veshur me përgatitje speciale, e rrethojnë shkollën, po vërejnë se s’ishte askush aty, prandaj edhe kthehen mbrapa. Në vëzhgim të gjendjes, ne kishim vendos tre të rinj me biçikëleta kinëse shetiteshin.
Në këtë mbledhje u formuan “Këshillat Humanitare” të nëndegëve nëpër fshatra që ishin në koordinim me Kryesinë e LDK-së së Komunës së Vitisë.
Këto të dhëna janë një përmbledhje e shkurtër pa të dhëna të shumë aktiviteteve të tjera që i përkasin fushave të resorëve të ndryshëm, dhe pa futur aktivitetin e “Forumit Rinor të LDK-së”, meqë ata do t’i përpunojnë aktivitetet e tyre që i kishin bërë me një koordinim më të mirë, brenda një kohe të shkurtër, dhe besoj se do t’i publikojnë rezultaret e tyre.