Duket se humbja nga Prishtina në xhiron e 12-të, kur Drita e kishte fitoren në duar, por iu përmbys rezultati pas minutës së 90-të, kishte lënë gjurmë për të keq, pasi që, në takimin e sotëm, në kuadër të javës së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll, skuadra gjilanase “vuajti” dhe iu deshtë shumë mund, që si lidere e tabelës, të shënon fitore ndaj KF Ferizaj, e fundit në tabelë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Edhe kjo fitore e vështirë, erdhi vetëm në minutat shtesë (90’+4’), edhe atë nga pika e bardhë, e ku realizues ishte, Besnik Krasniqi.
Skuadra e Ferizajt u pa që erdhi në Gjilan, për t’u mbrojtur, eventualisht për ta nxjerr një barazim, ndërsa gjilanasit bardh e kaltër, ngulmuan për një fitore, për ta eliminuar “të hidhëtin” që iu kishte mbetur nga humbja prej Prishtinës.
Por, sa kalonin minutat, shihej se Ferizaj barrikadohej me shumë lojtarë para portës së tyre, sa herë që lojtarët e Dritës synonin për ta tundur atë dhe se rezultati mbetej i pandryshuar, ai i fillimit, pasi që lojtarët e skuadrës vendëse nuk po ia arrinin ta gjenin formulën e duhur për ta zhbllokuar rezultatin.
Por, duket se kësaj here, zëvendësimet që i bëri, timonieri i Dritës, Ardian Nuhiu, dhanë fryt, e sidomos inkuadrimi i lojtarit, Iran Junior dhe kur gjyqtari ndihmës, sinjalizoi lojën shtesë prej katër minutash, bardhekaltërtit iu vërsulën më bindës portës kundërshtare, për mos të lejuar që rezultati i bardhë të jetë epilogu i këtij takimi dhe erdhi edhe te rasti kur edhe u nxor penalltia, e të cilën e konkretizoi suksesshëm, Besnik Krasniqi, transmeton 2LONLINE.com.
Me këtë fitore me “qykë të zorit”, Drita vazhdon ta mbajë pozitën e parë të tabelës së klasifikimit në elitën e futbollit kosovar, duke i grumbulluar 30 pikë nga 13 ndeshje, por se ndiqet nga Ballkani, që ka 25 pikë por edhe tri ndeshje më pak të zhvilluara.
Dhe, nëse Drita synon titullin e kampionit, duhet analizuar gjërat, që sidomos me ato skuadra që nuk janë pretendente për pjesën e sipërme të tabelës, të mos vije në situata të tilla stresuese me fitore të zorshme, pasi që do të shtrohej pyetja se si do të kalohej pastaj me skuadrat rivalë për vet kreun e tabelës?! /2LONLINE/