Një delegacion i MFSK-së në krye me sekretarin e përgjithshëm z. Shkëlzen Sylaj, me ftesë të ministrit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, zotëri Mark Lancaster ka vizituar Mbretërinë e Bashkuar.
Delegacioni i Ministrisë për FSK i kryesuar nga z. Sylaj, ka zhvilluar takime zyrtare me zonjën Paula Hothersall, shef i Politikës së gjerë evropiane dhe Nick Gurr, drejtor i Sigurisë dhe Politikës Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sekretari i përgjithshëm, Shkëlzen Sylaj gjatë takimeve, ka njoftuar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe me zhvillimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe situatën aktuale në Kosovë. Ai me këtë rast ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen me trajnime, shkollime dhe këshilla. Në takimet e zhvilluara është diskutuar për mundësitë e mbështetjes me trajnime profesionale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë edhe për shërbyesit civilë të MFSK-së, duke pasur parasysh modelin e integruar të MFSK-së që është model i MM të BM.
Delegacioni nga Kosova dhe ai nga Britania konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në mes dy institucioneve edhe në të ardhmen në fushën e trajnimeve për pjesëtarë të FSK – së dhe shërbyesit civilë në MFSK/FSK, duke pasur si objektiv që Kosova të jetë një ofrues i ardhshëm dhe kontribuues në sigurinë rajonale dhe botërore.
Qëllimi i vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar ishte vazhdimi dhe thellimi i bashkëpunimit në mes të MFSK -së dhe MM të Britanisë së Madhe. Ndërsa theks i veçantë iu kushtua përkrahjes së pjesëmarrjes së njësiteve të FSK -së në misione jashtë vendit nën ombrellën e Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe nëpërmjet trajnimit dhe shkollimit të pjesëtarëve të FSK- së në akademitë prestigjioze të BM.
Në delegacionin e MFSK-së ishin edhe sekretari personal i SP-së, z. Florin Hoxha, atasheu i FSK-së, major Beton Retkoceri, zëvendësdrejtori i ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për MFSK-në(NALT), Mark Theoblad, këshilltari i komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, oficeri britanik, kolonel Paul Stainthorpe.