Një delegacion i komunës Kirchhain të Gjermanisë, po qëndron në një vizitë disa ditëshe në komunën e Vitisë, me që rast po zhvillojnë takime të ndryshme më përfaqësues institucional, biznese, organizata të ndryshme etj.
Në vazhdën e këtyre takimeve, delegacioni në fjalë është pritur në orët e paradites nga kryetari i komunës Sokol Haliti, i cili u ka shprehur mirëseardhje, ndërkohë që i ka njoftuar me zhvillimet e gjithmbarshme në komunën e Vitisë.
Ai i ka njoftuar mysafirët për pasuritë që ka komuna e Vitisë si një rajon tipik bujqësor, më ujërat termale, fushën biznesore etj.
Haliti u ka ndarë edhe mirënjohje në shenjë falënderimi për vizitën që po i bëjnë komunës sonë.
Edhe zv.kryetari i komunës Kirchhain z.Hankel i ka dhuruar mirënjohje kryetarit të komunës Sokol Halitit dhe këshillit të fshatit Smirë.
Delegacioni gjerman që përbëhet nga nënkryetari i komunës Kirchhain Konrad Hankel, përfaqësuesja e komunitetit Stefanie Mai, menaxheri i fabrikës së paneleve solare Gerhard Elmshauser dhe Rainer Waldhardt profesor, kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Kuvendit Komunal, përfaqësues të shoqërisë civile, subjekteve politike etj.
Një fjalë hyrëse e mbajti kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, i cili edhe i njohu ata me përgjegjësit dhe rezultatet e Kuvendit komunal si organ legjislativ i komunës, si dhe ka uruar për bashkëpunim të ndërsjellët edhe në të ardhmen të komunës së Kirchhainit dhe komunës së Vitisë dhe fshatit Smirë.
Ndërkaq zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, i njoftoi mysafirët me rezultatet e arritura të komunës së Vitisë në hartimin e planeve dhe strategjive , kurse ka falënderuar mysafirët që me vizitën e tyre po sjellin edhe përvoja të reja të qeverisjes komunale.
Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe zv.kryetari i komunës së Kirchahainit Konrad Hankel, i cili ka përcjell përshëndetjet e të parit të komunës dhe qytetarëve të saj.
“Qytetarët e Kirchahinit kanë mbështetur iniciativën për bashkëpunim me komunën e Vitisë dhe fshatin Smirë. Ne jemi të nderuar me mikpritjen që na është bërë, ndërkohë që do të vazhdojmë bashkëpunimin mes të dyja komunave. Komuna e Vitisë, nga ajo që patëm rastin të njoftohemi gjatë ditës së djeshme dhe sot, ka një ngjashmëri me komunën tonë, dhe se shuam çështje të interesit i kemi të njëjta”, ka thënë Hankel.
Kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, në shenjë nderimi për vizitën në komunën e Vitisë , i ka nderuar mysafirët me mirënjohje në emër të Kuvendit Komunal të Vitisë.