Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i ka dhuruar sot një autoambulancë Klinikës së Neonatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Me dhurimin e kësaj autoambulance, në këtë klinikë është shtuar edhe një shërbim i ri, që është bartja e foshnjave të porsa lindura me probleme shëndetësore nga 7 spitalet e përgjithshme të vendit për në QKUK në mënyrë profesionale.
Kjo pritet të ulë edhe shkallën e vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura me probleme shëndetësore.
Pas dorëzimit të kësaj autoambulance, ministri Ismaili tha se që nga sot, foshnjat e porsalindura me probleme shëndetësore në 7 qytetet kryesore të Kosovës, do të transportohen për në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, me autoambulancë me të gjitha pajisjet mjekësore për transport profesional.
“Me dhurimin e kësaj autoambulance, kemi shtuar një shërbim të ri në QKUK, i cili ka munguar deri më sot. Pas ofrimit të këtij shërbimi emergjent dhe profesional, ne presim që edhe shkalla e vdekshmërisë te foshnjat e lindura para kohe me probleme shëndetësore, të ulet edhe më tej. Urime Klinikës së Neonatologjisë për fillimin e këtij shërbimi të ri!”, tha ai.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, tha se se ky është një shërbim i ri të cilin nuk e ka asnjë institucion publik shëndetësor në rajon, dhe i cili, do të lehtësoj punën për profesionistët shëndetësor dhe do të shtoj kujdesin për nënat dhe foshnjat e porsalindura.