Korrupsioni vazhdon të mbetet në nivel të lartë si në sektorin e shëndetësisë ashtu edhe në arsim si pasojë e mungesës së vullnetit politik në nivelet më të larta institucionale. Ishte ky konkluzioni i tryezës së radhës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me titullin “Korrupsioni në Arsim dhe Shëndetësi”, në kuadër të projektit Luftimi i Korrupsionit dhe Etika në Biznes, të mbështetur nga Programi i UNDP për Përkrahje të Përpjekjeve për Luftimin e Korrupsionit në Kosovë.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se tryeza ndodh në një kohë pas publikimit të raportit të organizatës Transparency International e cila vlerëson progresin e ndjeshëm të Kosovës në aspekt të perceptimit të korrupsionit, duke e ranguar atë në 10 vende më mirë krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, pavarësisht përparimit, ai tha se duhen shtuar përpjekjet në të gjitha hallkat e luftimit të korrupsionit për rezultate më të efektshme në këtë aspekt.
Në lidhje me korrupsionin në shëndetësi, Patrick Etienne nga Zyra Zvicrane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, tha se pasojat e këtij fenomeni janë tragjike për arsye se ato ndikojnë në shërbime të cilësisë më të ulët, dhe rrjedhimisht në presion dhe stres në shoqëri, që po rezulton që qytetarët të dalin jashtë shtetit. Ai tha se problemi kryesor qëndron tek institucionet e larta shtetërore tek të cilat interesi privat mbizotëron atë publik.
Blerim Syla, Kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, tha se korrupsioni është edhe i natyrës individuale, por edhe institucionale, duke përmendur kështu nivelin e lartë në politikë. Ai tha se mungon vetëdijësimi i shoqërisë civile në raportimin e korrupsionit, duke theksuar rëndësinë e një angazhimi më të madh edhe të medieve. Ai tha se pavarësisht shqetësimeve të ngritura në këtë aspekt, reagimi i institucioneve nuk ka qen; I duhuri. Ndërsa, Alban Selimi, gazetar foli për rolin e rëndësishëm të medieve në hulumtimin e korrupsionit në shëndetësi, si dhe për disa skandale të cilat janë sjellë në vëmendjen e publikut duke iu falënderuar medieve.
Në anën tjetër, duke folur në panelin mbi korrupsionin në arsim, Arbër Geci, Zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se në krahasim me shëndetësinë, pasojat e korrupsionit në arsim janë më të ngadalshme. Ai përmendi gjendjen shqetësuese në arsimin e lartë mbi prezencën e nepotizmit, ndikimeve partiake, dhe profesorët me ngritje të dyshimta akademike. Ai poashtu tha se studentët janë pak të informuar në aspektin e raportimit të korrupsionit, gjë për të cilën Ministrija e Arsimit planifikon të organizojë fushata në informimin dhe vetëdijësimin e tyre që nga shkollat fillore deri te universitetet.
Jeton Zulfaj, Menaxher i Programeve në Lëvizjen FOL, tha se që nga paslufta, sistemi arsimor ka degraduar si në mungesën e investimeve për arsimin si fushë prioritare ashtu edhe mungesën e zhvillimit të ligjeve. Në bazë të hulumtimeve të kryera nga ana e tyre me nxënësit dhe profesorët në shkolla të mesme dhe profesionale, Zulfaj tha se korrupsioni përceptohet nga ana e tyre më shumë si përcepsion sesa si përvoj, kështu duke raportuar se ka korrupsion por jo raste konkrete. Ai tha se nevojitet të bëhet një vlerësim nga jashtë për cilësinë në edukim që të adresohen më saktësisht mangësitë dhe problemet kryesore në luftimin e korrupsionit.
Dukagjin Pupovci, Drejtor i Qendrës për Arsim të Kosovës, tha se sistemi korruptiv në punësimin e personelit arsimor mbetet shqetësues, si në nivelet komunale ashtu edhe ato ministrore. Ai poashtu përmendi korrupsionin në paga në institucionet e larta arsimore, duke theksuar se nxjerrja e paralajmëruar e ligjit mbi pagat do të ndihmonte në eliminimin e disa prej problemeve.