Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festës së Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, është mbajtur një ligjëratë me nxënësit e shkollave të mesme, me temë “Rinia dhe Shteti”
Është bërë një rezyme për zhvillimet historike të popullit shqiptar, posaçërisht rinisë në etapa të ndryshme në aspiratën për mëvetësinë e Kosovës.
Profesori i historisë Besim Haliti, në ligjëratën e tij, ka përshkruar rrugëtimin e 100 vjeçar të lëvizjeve popullore, duke u nisur nga viti 1912, pastaj mbretërinë serbo-kroate-sllovene dhe rolin e rinisë në mbajtjen gjallë të familjes dhe ekonomisë së saj, si dhe ruajtjen e strukturave etnike të popullsisë shqiptare që ishte në rrezik.
Ai u fokusua edhe tek Lidhja e dytë e Prizrenit, Konferenca e Bujanit, themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989, demonstratat gjithë popullore të vitit 1981, demonstratat studentore të vitit 1997 e gjithashtu edhe për mobilizimin ushtarak për luftë me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjitha lëvizjet për arritjen e synimit deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Në këtë ligjëratë, u lexuan edhe ese të nxënësve të shkollave të mesme, që për temë kishin Pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Aktivitetet për shënimin e Ditës së Pavarësisë, do të vazhdojnë me aktivitete të ndryshme gjatë ditës së sotme, për të vazhduar nesër me seancën solemne, homazhet tek varrezat e dëshmorëve etj. /2LONLINE/