(2L ONLINE) – / Komuna e Gjilanit ka nisur rregullimin e tri rrugëve më të vjetra në fshatin Përlepnicë, me ç’rast në inspektimin e fillimit të punimeve ishte edhe nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se investimi këtu është ndër më të drejtat dhe më të nevojshmet, sepse kjo edhe përkundër që është rruga më e vjetër në këtë fshat nuk është shikuar me prioritet më parë.
”Sot kemi nisur punën në rregullimin e këtyre tri rrugëve këtu në këtë fshat, sikur që ditë më parë kanë nisur punimet në fshatin Nasal, ndërsa për këtë qëllim ne kemi ndarë mbi 2.5 milion euro për asfaltime të rrugëve në qytet dhe fshatra e që numri i tyre që janë hapur tenderët dhe që janë në proces të hapjes janë mbi 34 rrugë në fshat dhe qytet. Këto rrugë në fshatin Përlepnicë kanë nisur sot dhe do të asfaltohen shumë shpejt. Dinamika e punëve është shumë e madhe në Komunën e Gjilanit, porse këtë vit do të përfitojnë një numër shumë i madh i qytetarëve nga projektet publike”, ka thënë Kadriu në fshatin Përlepnicë.
Ndërsa Sabedin Aliu banorë i kësaj lagjeje të Përlepnicës, ka thënë se ai dhe banorët e kësaj pjese janë shumë të kënaqur me punën që po bëhet tani në lagjen e tyre.
”Jemi shumë të gëzuar për këtë projekt që edhe rrugës më të vjetër i erdhi rendi të asfaltohet. Këtu në këtë lagje jemi rreth 30 shtëpi, ndërsa ky projekt do ta bëjë më të lehtë qarkullimin e qytetarëve në këtë fshat”, ka thënë ai. /2L ONLINE/