/2L ONLINE/ – Me shfaqjen “Im atë e donte Adolfin”, e luajtur nga trupa vendase, ajo e Teatrit të Gjilanit, në këtë qytet ka nisur Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës” në të cilin për pesë netë me radhë do të jepen pesë shfaqje, të teatrove nga të gjitha trevat shqiptare.
Kjo shfaqje e cila prek problemin e mprehtë kombëtar, është dramatizuar nga romani i Mehmet Krajës, në regji të Ilir Bokshit, e ku kanë luajtur aktorët e Teatrit të Gjilanit, Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Emine Toska, Avni Shkodra, Ali Demi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa – Baftiu, Njomëza Kalaveshi, Tringa Hasani, Milot Sadiku, Gramos Kërqeli dhe Bashkim Nexhipi, kurse kostumografia ishte e Desë Krajës dhe skenografia e Bekim Korçës.
Ngjarja zhvillohet nëpër kohë të turbullta nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, kurse e tërë kjo paraqitet nëpërmjet fatit të dy kryepersonazheve, të cilët edhe janë të ndikuar nga politika botërore, kurse shfaqja preku edhe aktualitetin e tashëm.
Kjo shfaqje ishte e mbushur me përplot gjallëri, pati gjetje shumë të mira skenografike, kurse edhe loja e aktorëve ishte shumë e mirë dhe është pëlqyer nga publiku.
Edhe sivjet Festivali “Talia e Flakës” ka karakter garues dhe do të përzgjidhet teksti më i mirë, shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori dhe aktorja më e mirë, aktori dhe aktorja më e mirë për rol dytësor dhe skenografia më e mirë. Përzgjedhja do të bëhet nga juria në përbërje Sokol Angjeli, Anisa Ismajli dhe Ylber Nuredini.
Edhe sivjet pas shfaqjeve do të organizohen debate, me panelistët kryesorë Josif Papagjoni, Agron Gërguri dhe Sadri Daku.
Festivalin e ka shpallur të hapur Bujar Haziri, ushtrues i detyrës së drejtorit të Teatrit të Gjilanit.
Pas shfaqjes vendase, Agron Gërguri, tha se kjo ishte një dramë jokonvencionale, ku aktorët kryen detyrat që u dha regjisori. Sipas tij kjo shfaqje nuk ka strukturë klasiken, shquhet me teatër total dhe është një shfaqje moderne.
Ramadan Kurti, aktor, tha se teksti i kësaj shfaqje është fragmentar e regjisori bëri punë të mirë, kurse aktorët dëshmuan një disiplinë skenike.
Mio Gjini, që enkas erdhi nga Athina, shfaqjen e cilësoi të nxehtë e me temperament, spektakël që provokon historinë, kurse për regjisorin tha se ka pasur të drejtë që shfaqjes i ka dhënë trajtim satiro-humoristik.
Sipas Gjinit, në këtë shfaqje pati momente reale në konfuzionin historik. Ai ka kërkuar që të jemi të vëmendshëm se si e trajtojmë historinë, kurse pati vërejtje se regjia ka mundur që të sjell më afër shfaqjen, ngase ajo kryesisht u luajt në pjesën e pasme të skenës.
Orhani, aktor nga Turqia, tha se aktorët luajtën me zemër, kurse Eteme Shahiqi, shfaqjen e cilësoi të kohës, e për Liridona Mehmetin, shfaqja ishte e realizuar mirë.
Me tone pozitive për shfaqjen e u shprehën edhe Sokol Angjeli dhe Sadri Daku, derisa regjisorja nga Shqipëria, Alma Poti, tha të jetë e befasuar, ngase siç u shpreh ajo, pa një grup të unifikuar në perfeksion dhe përgëzoi regjisorin që ia doli që të konsolidojë shumë aktorë një hapësirë të ngushtë.
Në natën e dytë do të paraqitet Teatri Shqiptar i Shkupit, me shfaqjen “Darka e thërrimeve”, me tekst të Refet Abazit e në regji të Qëndrim Rijanit./2L ONLINE/