Ekipa mobile për testim kundër virusit COVID-19 në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Kamenicë, kanë nisur testimin e nxënësve nëpër shkolla.
Testimi ka filluar me nxënësit e Sh.F.M.U “Metush Krasniqi” në Roganë.
Gjatë testimit i pranishëm ishte u.d i Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit, Visar Dërmaku, dhe u.d i Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Rifat Hajdari si dhe drejtori i shkollës Florim Kryeziu.
Kryearti i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se testimi i nxënësve do të bëhet në të gjitha shkollat në mënyrë që t’i identifikojnë rastet me COVID-19.
“Sot ka filluar testimi i nxënësve nga ekipet mobilie mjeksore të formuara kundër COVID-19. Testimi ka filluar me nxënësit e shkollës “Metush Krasniqi” por do të vazhdojë edhe në shkollat tjera. Qëllimi ynë është që të identifikojmë nxënësit e prekur nga ky virus në mënyrë që të rishikojmë vazhdimin e mësimit sipas udhëzimeve të IKSHKP-së, dhe nxënësit të mos mbesin mbrapa me mësime”, ka thënë ai.
Edhe u.d i Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit, Visar Dërmaku, ka thënë se pas rezultateve të këtyre testeve do të vendoset se si do të vazhdojë procesi mësimor sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.
“Testimi i nxënësve është i duhur pasi që pas daljes së rezultateve i identifikojmë rastet të cilat janë me COVID-19, dhe më pas në bashkëpunim me drejtorin e shkollës, duke u bazuar në rekomandimet e IKSHKP-së marrim masat e duhura në mënyrë që të shohim se si të vazhdojë më pas procesi mësimor”, është shprehur ai.
Testimi i nxënësve do të vazhdoj edhe në shkollat e tjera të Kamenicës ditëve në vazhdim. /2LONLINE/