Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), ka mbajtur të enjten takimin e radhës, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-rregulloren për ndarjen e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, propozim-rregulloren për tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin 2019, propozim-vendimin për themelimin e Komitetit Konsultativ të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor, propozim-vendimin për themelimin e Komitetit Konsultativ për Persona me Aftësi të Kufizuar, propozim-vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës të Kuvendit Komunal për vitin 2019 si dhe rishikimin e tri vendimeve të miratuara më parë, që kanë të bëjnë me planet rregulluese të hollësishme “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, sipas sugjerimit të MAPL-së.
Pas një diskutimi të gjerë rreth pikave të rendit të ditës, ku janë përfshirë Nevzat Isufi (LVV), Riza Abdyli (PDK), Avdyl Aliu (LDK), Mimoza Kadriu (Nisma), Arijeta Rexhepi (LVV) e Ibish Ibishi (këshilltar i pavarur), si dhe propozimeve të tjera, që kryesisht janë bërë nga opozita, KPF miratoi edhe kërkesat që në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të diskutohet për mbulimin e shtratit të lumit Mirusha, për regjistrimin e nxënësve në Shkollën e Mjekësisë gjatë muajve tetor e nëntor, pastaj për punimet që janë duke u kryer në stadiumin e qytetit si dhe kërkesa për kompensimin e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e ofertave.
Propozim-rregullorja për ndarjen e titujve të nderit, që u arsyetua nga drejtoresha e Kulturës, Shpresa Hajdari, duke thënë se kryesisht bëhet fjalë për normimin e çmimeve ekzistuese “Beqir Musliu”, “Idriz Seferi” dhe “Agim Ramadani”, përsëri ka zgjuar interesimin e anëtarëve të KPF, duke insistuar që të merren parasysh edhe propozimet nga dëgjimet publike.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se përpos këtyre çmimeve, anëtarët e Kuvendit kanë të drejtë të bëjnë edhe propozime të tjera, të cilat duhet të jenë të arsyetuara veç e veç dhe pastaj është Kuvendi ai që vendos.
Sa i përket rregullores për tatimin në pronë, drejtori i Buxhetit Zijadin Maliqi ka sqaruar se ndryshimi i vetëm nga rregullorja ekzistuese është se nga viti 2019 fillon tatimi në tokat e papunuara, që do të jetë një vlerë përshkallëzuese nga viti në vit.
Ndërkaq, sqarime rreth kërkesës për rishikimin e tri vendimeve të miratuara më parë, që kanë të bëjnë me planet rregulluese të hollësishme “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, sipas sugjerimit të MAPL-së, kanë dhënë drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami si dhe shefi i sektorit të Planifikimit, Fadil Sherifi.
Ata kanë thënë se në kohën kur janë përgatitur dhe miratuar këto plane, nuk ka pasur hartë zonale, që është vërejtje e Ministrisë dhe Kosova, as tani nuk e ka hartë zonale, por është vepruar sipas planit zhvillimor urban.