Policia e Kosovës, Operativa Rajonale e Gjilanit është njoftuar përmes telefonit për një rast të “Shkaktimit të Rrezikut të Përgjithshëm – Zjarr”, i cili rast kishte ndodhur në fshatin Livoç i Ultë.
Rastit iu janë përgjigjur Njësia e Hetimeve Rajonale si dhe Krim Teknika. Krim Teknika Rajonale ka bërë procedimin e vendit të ngjarjes.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se nga hetimet e para dyshohet se një zjarre i fuqishëm kishte ardhur nga ndezja e djerrinave (barit të thatë) ku dyshohet se zjarri kishte dalë nga kontrolli duke përfshirë një objekt afarist me shumë makineri për përpunimin e plastikës.
“Sipas ankuesit vlera e dëmit të shkaktuar në Objektin e tyre është e konsiderueshme. Nga ky incident fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e zjarrit. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore për Krime të rënda”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Rasti është duke u hetuar nga hetuesit rajonal.