Nexhat Rexha (1956) veprimtarinë e vet letrare e nisi me poezi, që dëshmohet me përmbledhjet “Ndrydhja e pikës K” të botuar në vitin 2003 dhe “Unazë qiellore”, të botuar më 2005 . Libri i tij i tretë “Ligjërime përjetimesh” (200) vështron veprat e 16 autorëve, shqiptarë dhe të huaj, me të cilën e zgjeroi veprimtarinë e vet dhe si kritik letrar.
Nga: Anton Nikë Berisha
Në rrjedhën e viteve, në të dy fushat, ky autor botoi një varg veprash të tjera duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme.
POETI
Deri më tani Nexhat Rexha botoi shtatë përmbledhje me poezi (përmbledhjen “Fluturojnë zogjtë në kafaz” e botoi më 2014, ndërsa “Duke kërkuar hijen tënde” më 2019), përmes të cilave ai përligj botën e vet poetike, komunikon me dukuri të botës së jashtme dhe të botës së brendshme, dialogon me to ose u kundërvihet atyre përmes mesazheve që dalin nga struktura tekstore shprehëse.
Që në përmbledhjen e parë me poezi Ndrydhja e pikës K., Nexhat Rexha dëshmon se i kushton kujdes të shprehurit poetik dhe tablove poetike – si mundësi të komunikimit dhe të ndikimit estetik në marrësin. Në pjesën dërmuese të poezive të këtij vëllimi shqiptohet gjendja e rëndë shpirtërore, shoqërore dhe politike e shqiptarit në Kosovë në rrjedhën e gjallimit të përditshëm; tundimet, pësimet dhe tragjika në veprimet konkrete, po dhe në rrafshin kulturor dhe shpirtëror. Përmes individit poeti shpreh njëherit dhe gjendjen e mjedisit shoqëror ku jeton dhe vepron.
Nëpër hijen tënde
Ti shëtit pandërprerë .
ose
Lotët e dhembjes i kam parë
Në hyrje dhe në mbarim të shkallëve
Atëherë kur dhëmbët bluajnë
Dheun e rëndë rënkues në mesditë .
Dramën e njeriut të tij në kohën kur ngulfatet dhe frymëmarrja, poeti e shpreh përmes simbolikës së kohës kukull:
Kohë kukull
Përkushtimet – njerëzit që u flijuan për liri
Këtë gjendje dhe pësimet e ndryshme Nexhat Rexha i shqipton përmes një metafore të rrallë: Ditët hanë njëra – tjetrën , që në thellësinë e mesazhit nënkupton atë që ndodh mes njerëzve, ku dhe Kali i Trojës, simbol i tradhtisë dhe i pësimit, shëtit lirshëm:
Në atdheun tim edhe më tej
I trembur i hutuar i mbetur mënjanë
Pasthirrmë e përsëritur vazhdimisht .
Në gjallimin e tillë dhe fjala detyrohet të heshtë; e kur ajo burgoset, atëherë jeta shndërrohet në dhunë dhe individi u jepet ëndrrave.
Fjala ime e pathënë
Shëtit nëpër trotuare me ankth .
dhe
Liria e fjalëve vlon në ëndrrat e mia .
Në qenësinë e vet poezia e Nexhat Rexhës e shqipton njeriun dhe botën që i përket poeti; vendlindjen dhe atdheun ose figurave të shquara. Ai niset përherë nga kjo botë dhe vepra që krijon i kthehet asaj; shpalon dukuri të traditës dhe të rrënjëve dhe i ballafaqon ato me qëllim që të krijohet dhe ngrihet ndërgjegjja kombëtare. Kjo bie në sy sidomos në përmbledhjen “Fluturojnë zogjtë në kafaz” dhe “Duke kërkuar hijen tënde”, me të cilat autori e pasuron edhe më tej botën e vet poetike; thellohet vëzhgimi i dukurive nga se ato vihen në një rrafsh të ri komunikimi, rrjedhimisht me ketë dhe ndikimi në marrësin. Për arsye të gjendjes së rëndë të jetesës, poeti u kthehet ëndrrave të fjetura për t’iu kundërvë realitetit të përditshëm. Mirëpo, “Koha e vrarë në sy”, siç do të thoshte poeti Visar Zhiti, vazhdon ta tundë dhe t’i rëndojë në shpirt, siç ndodh në poezinë “Zhveshur”
Dielli dhe qielli
Imazhin e zhveshjeve riveshin .
ose në poezinë “Çmimi e gjykimi”, ku dëshmohet shpërfillja e të drejtës për të gjithë njësoj, që duhet ta cilësojë çdo mjedis shoqëror:
Në murin e gjykatave me dy pamje .
Gjendja e tillë shpaloset edhe kur poeti e bën objekt vështrimi poetik helmimin e fëmijëve nga dora e fshehur e njerëzve të pushtetit:
Kur na i helmuan fëmijët tanë
jeta mori ngjyrën e purpurt .
Gjithë kjo përligjet dhe nga fjalët kohë pa ndërgjegje (f. 34), pritje e shkëmbtë (f. 44), harruar në natë (104) etj.
Ndonjëherë teksti shndërrohet në ironi, siç ndodh në poezinë “Ngujim”: Ngujim i përgjumur .
Duke gërmuar në shkaqet dhe pasojat e kësaj gjendjeje, në një varg poezish fajësohen dhe vetë njerëzit e botës së poetit, të cilët kushtëzojnë të thellohet e keqja dhe pësimi .
Në përmbledhjen “Duke kërkuar hijen tënde” përligjet vijimësia e vështrimit të dukurive të botës sonë, që poeti e pati nisur qysh në veprën e parë “Ndrydhja e pikës K”: atdheu dhe fati i shqiptarit të Kosovës, ku jetën dhe veprimin i cilëson gjëmimi:
Kur jeta frymon gjëmimin
ose
E harlisur kohë
Pa ngjyrën e trokitjeve
Simfoni e humbur
Në pikturë .
Edhe brenda çlirimtarëve të atdheut pati të tillë që i sollën dëme njeriut tonë:
Çlirimtarët e atdheut
Krismat keq i ngatërruan .
Gjithë këtë Nexhat Rexha e ndërlidh dhe me simbolikën e Trojës, përkatësisht përmes Kalit të tradhtisë.
Liria dhe paqja
Nëpër hyrje daljet e Trojës .
Ne bëjmë sehir
Pamjen e atdheut në kafshim .
Dhe ata që pa kursim
E po hani atdheun shumë herë .
Tundimet dhe pësimet e atdheut Krrokatje korbash në arenën kobzezë e trazojnë poetin dhe pësimi është i pafund:
Toka ime e lashtë
Dhembjet fort trokasin
Damarëve të shpirtit .
Në disa poezi autori e shqipton dhe dashurinë, që është më tepër gjakim se sa akt konkret; ajo përcillet me ndjenja të fuqishme: sa shkakton kënaqësi, po aq shqetësime dhe brenga.
KRITIKU LETRAR
Libri i parë me punime për letërsinë i Nexhat Rexhës është “Ligjërime përjetimesh”, në Parathënien e të cilit autori shkruan: “Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve u hartuan për të mbajtur gjallë jetën tonë letrare kulturore dhe u lexuan para shumë njerëzve, kryesisht para nxënësve dhe adhuruesve të fjalës së shkruar, me rastin e përurimeve të disa librave që u botuan në ato vite të rënda dhe “[…] u shkruan kryesisht për autorët e një treve, që mund t’i ketë përparësitë dhe dobësitë e veta ”.
Edhe në pesë librat e tjerë me punime dhe vështrime letrare: “Fjala ruan kuptimin” , “Emra dhe vlera” , “Shtjellimi i tekstit” , “Vlerësime letrare” dhe “Shfletime e kundrime kritike” , Nexhat Rexha e zgjeron dhe e thellon vrojtimin dhe komunikimin me tekste, qofshin ato në poezi, në prozë ose të llojeve të tjera (studimeve monografike).
Arsyet pse ky autor u mor me dukuri të ndryshme dhe i vështroi një varg veprash letrare të llojeve të ndryshme janë të shumta, po veçoj atë që thotë prof. Zeqirja Neziri: “Synimi kryesor i autorit është të bëjë një paraqitje të ecurisë së kësaj krijimtarie dhe të regjistrojë atë si vlerë kombëtare, me çka e sfidon interesimin e lexuesve për përhapjen, perceptimin dhe afirmimin e saj” , pra “Janë shkrime me pretendime afirmative e vlerësuese” .
Duke e thelluar vëzhgimin për rëndësinë e punimeve të Nexhat Rexhës për një varg veprash letrare, Zeqirja Neziri thekson: “Gjatë analizës së veprës letrare përqendrohet (autori) në interpretimin e motiveve e të botës përshkrimore, shqetësimet themelore të autorit dhe të porosisë së vargut të tij ”.
Punimet e botuara në këto libra janë të natyrave të ndryshme: interpretime, vështrime letrare dhe recensione për libra me poezi e me prozë ose shkrime që kanë për qëllim para së gjithash informimin, pra sjelljen e të dhënave kryesore për veprat e shqyrtuara.
Si interpretime po përmend punimin për lirikën e Fishtës, pastaj për Divanin e Nasim Frakullës, për figurën e Skënderbeut në poezinë e Beqir Musliut, për fjalët e urta të Sami Frashërit etj. Në këto punime autori shqipton dukuri të ndryshme të veprës – të tekstit letrar si shtjellim dhe mesazh poetik si dhe mundësinë e ndikimit estetik në lexuesin.
Duhet theksuar se pjesën dërmuese të gjashtë librave të përmendura të Nexhat Rexhës e bëjnë recensionet. Në to, në mënyrë të përmbledhur, autori ka synuar t’i ndriçojë veçantitë dhe vlerat kryesore të veprave që i ka lexuar dhe ia ka paraqitur lexuesit ose dëgjuesit, meqenëse një pjesë e tyre janë – kumtesa që ai i ka mbajtur me rastin e përurimit të librave.
Në dialogun e tij me tekstin letrar Nexhat Rexha përqendrohet sidomos në përbërës poetikë, që përcaktojnë vlerën e secilës vepër letrare. Shpesh dukuritë i vështron edhe në përballje me veprat e tjera të të njëjtit autor ose të autorëve të tjerë. Me këtë dëshmohet se dukuritë dhe veprat letrare shpesh gërshetohen dhe janë fryt i leximeve të shumë autorëve, ose siç thotë Kurtius, letërsi e lindur nga letërsia (la letteratura nasce dalla letteratura) .
Autori ynë ka marrë në vështrim, përkatësisht ka vënë dialog me veprat e autorëve të periudhave të ndryshme, po dhe të llojeve të ndryshme, po dhe të letërsive të tjera. Kështu ka vështruar veprat e Dritëro Agollit, Mark Krasniqit, Xhevahir Spahiut, Ibrahim Kadriut, Jusuf Gërvallës, Ali Huruglicës, Mahmut Hysës, Sabit Rrustemit, Prend Buzhalës, Petrit Palushit, Ramadan Musliut etj. dhe të autorëve të letërsive të tjera, midis tyre dhe emra mjaft të njohur: Paulo Coelho, Marius Chelaru, Adonisit, përkatësisht Ali Ahmad Said Esber, Ollga Lalić – Ktavvicka, Marina Kljajo – Radić etj. Edhe në këto punime autori vëzhgon dukuritë e rëndësishme që i cilësojnë tekstet dhe mesazhet që dalin prej tyre.
Përmes punimeve Nexhat Rexha jo vetëm ndriçoi veçanti dhe vlera të veprave të një varg autorësh, po dhe e informon lexuesin dhe e nxit atë që t’i lexojë ato, pra t’i bëjë pjesë te dijes dhe të pasurisë shpirtërore.
Më duhet të them se Nexhat Rexha më së shumti ka shkruar për veprat e autorëve që i botuan veprat e tyre të para ose të atyre që janë më pak të njohur. Një përcaktim i tillë ka rëndësinë e vet të pamohueshme: është një ndihmesë për krijuesit dhe për nxitjen e tyre që të merren me përkushtim me letërsinë. Një letërsi bëhet e vdekur pa krijues të rinj.
Gjashtë vëllimet me interpretime, vështrime e recensione dëshmojnë dhe një fakt tjetër: Nexhat Rexha e përcjell vijimisht veprimtarinë botuese te ne, i bën të njohur veprat dhe autorët, mëson nga ata dhe e zgjeron përvojën dhe dijen e tij për letërsinë.
( Kumtesë e lexuar më 2 Nëntor 2019, në Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”)