(2L ONLINE) – Punëtorët e Kompanisë Rajonale për Ujë “Hidromorava” në Gjilan, nga nesër do të hyjnë në grevë, duke ndërprerë fillimisht punën për 1 orë, e nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rritje rrogash dhe përmirësim kushtesh të punës, atëherë greva e tyre paralajmërohet se do të përshkallëzohet.
Për më tepër, ata kanë themeluar tani më Këshillin Grevistë dhe anëtari i këtij Këshilli, Ilir Uruqi ka konfirmuar për Portalin 2L ONLINE, se nga e mërkura do të fillojë greva e punëtorëve të Hidromoravës, që do të jetë fillimisht një orësh (nga ora 08:00 – 09:00), në ditën e dytë do të jetë dy orësh, e kështu me radhë.
Uruqi ka thënë se kërkesë e grevistëve është rritja e pagave në mënyrë lineare dhe përmirësimi i kushteve të punës. Në grevë do të hyjnë punëtorët e kësaj kompanie duke mos ofruar shërbime në orën e grevës, përveç që furnizimi me ujë nuk do të ndalet, ndërsa nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, atëherë greva do të përshkallëzohet dhe do t’i përfshijë të gjitha shërbimet.
“Në grevë ishim të shtyrë për të hyrë sepse përpjekjet e Sindikatës së Punëtorëve të Hidromoravës ishin të mëdha për t’u zgjedhur kjo situatë, për të mos ardhur deri tek nevoja për grevë, por si duket menaxhmenti dhe bordi i Kompanisë u tregua e shurdhët dhe e injoroi Sindikatën”, ka thënë Uruqi për 2L ONLINE.
Ai tha se punëtorët janë të vendosur për t’i realizuar kërkesat e tyre të drejta e të ligjshme dhe se si punëtorë të kësaj kompanie janë të gatshëm dhe të përkushtuar që të ofrojnë shërbime cilësore në dobi të qytetarëve-konsumatorë, por se vetëm duan që mundi i tyre të shpaguhet.
Përndryshe, burimet e Portalit 2L ONLINE, brenda Kompanisë mësojnë se “Hidromorava” sot ka pasur edhe një trazim tjetër. Bordi ka shkarkuar ish ushtruesin e detyrës së drejtorit të Kompanisë Abdylaziz Selmanin dhe në vend të tij ka emëruar ushtrues detyre Bashkim Halabakun. Konkursi për drejtor është mbyllur dhe pritet së shpejti të zgjedhjet drejtori i kësaj Kompanie, ndërsa mësohet se shkarkimi i Selmanit, nuk ka të bëjë fare me çështjen e punëtorëve përkatësisht grevën e tyre të paralajmëruar për nesër. /2L ONLINE/