Nën organizimin e asociacionit alternativ të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubit “Beqir Musliu”, e nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit, mbahet pjesa letrare,” Pena e Flakës”, si një nga shtyllat qendrore të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit”, përgjatë këtyre 32 viteve, nga themelimi e këndej.
Poetë e poete nga shumë qytete e krahina shqiptare, të cilët u bënë pjesë e një konkurrimi publik, si te konkursi anonim letrar, ashtu edhe te konkurrimi për të lexuar në Orën e madhe letrare, për Çmimin kryesor të kësaj pjese, PENA E FLAKËS, nesër, më 31 janar 2023, ora 13:00, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, kanë ditën finale.
Njëzet poetë, që janë përzgjedhur sipas kritereve të Thirrjes publike për këtë pjesë, do të vijnë dhe do të garojnë me krijime të reja letrare, duke nderuar vetë Manifestimin dhe, përmes vlerave të artit letrar, të gjithë martirët, dëshmorët, heronjtë dhe figurat e shquara të kombit, që ishte dhe mbetet përkushtimi më i ndjeshëm shpirtëror yni.
Tri nga këto njëzet krijime, do të nominohen për Çmimin PENA E FLAKËS, ku poezia fituese do të shpallet në Mbrëmjen Përmbyllëse (Gala Mbrëmjen ) e cila mbahet të njëjtën ditë, po nga ora 17:00 në Resort “Planeti”, tutje qytetit, përgjatë magjistrales Gjilan – Bujanovc , përkatësisht në lokacionin e fshatit Kmetoc.
Pas leximit të punimeve dhe nominimit të tri poezive përmes një Jurie letrare, do të shpallen dhe rezultatet e konkursit anonim letrar për poezi e për tregim të shkurtër, ku në garë janë, 79 poezi si dhe 47 tregime. /2LONLINE/
Ars Clubi “Beqir Musliu” Gjilan