Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me drejtorin e drejtorisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Arianit Ibrahimi, kanë pritur në takim përfaqësuesin e KF “Besa” nga Shipashnica e Epërme, Granit Dërmakun, me ç’rast kanë nënshkruar edhe marrëveshje mirëkuptimi për bashkëfinancim të projektit “Rregullimi i objektit të zhveshtorës dhe murit mbrojtës”.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati tha se KF Besa nga Shipashnica e Epërme së shpejti do të bëhet me objekt të ri të zhveshtores, pas nënshkrimit të projektit për bashkëfinancim.
“KF Besa nga Shipashnica e Epërme, së shpejti me objekt të ri të zhveshtores. Bashkë me drejtorin e DKRS Arianit Ibrahimin, sot mirëpritëm në zyrë Granit Dërmakun nga KF Besa, për nënshkrimin e këtij projekti me bashkëfinancim. Si komunë kemi ndarë 20 mijë euro për rregullimin e zhveshtores, ndërkaq klubi ka bashkëfinancuar me dy mijë euro”, tha Kastrati.
Ndërsa drejtori i DKRS-së, Arianit Ibrahimi, tha se Komuna e Kamenicës do të vazhdoj të ofroj mbështetje të vazhdueshme për sportdashësit tanë, duke u munduar t’i ofrojnë kushte dinjitoze për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Ndryshe kjo marrëveshje ka vlerën prej 22 mijë euro, ku Komuna e Kamenicës do të participoj në vlerë prej 20 mijë euro dhe KF “Besa” në vlerë prej dy mijë euro. /2LONLINE.com/