Kryetari i Komunës së Kamenics, Qëndron Kastrati bashkë me përfaqësuesin e Klubit Rotarian Prishtina Internacional (RCPI), Ilir Krasniqi dhe përfaqësuesin e Klubit Rotarian Gjilani, Xhevdet Thaqi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e ujit të pijshëm në shkollën “Abdulla Krashnica”, në Koretin.
Kreu i komunës tha se po angazhohet maksimalish që nxënësve t’u krijojë kushte më të mira infrastrukturore e arsimore.
Ndërkaq, përfaqësuesi i RCPI-së Ilir Krasniqi, tha se janë të përkushtuar që ta ndihmojnë komunitetin e Kosovës me projekte në fusha të ndryshme, e që njëra nga to është edhe sigurimi i ujit të pijshëm.
Kryetari Kastrati falënderoi Krasniqin e Thaqin për bashkëpunimin e tyre në këtë projekt.
Komuna e Kamenicës bashkë me Klubin Rotarian Kamenica i cili është në themelim, dhe Klubi Rotarian Gjilani, janë përgjegjëse për zbatimin e të gjitha aspekteve operative të projektit deri në implementim.