Është nënshkruar sot marrëveshja tri paleshe mes komunës së Vitisë, organizatës CDI, si dhe kompanisë rajonale të ujërave “Hidromorava”, për realizimin e Projektit-Gypi transportues prej FPU ne Letnicë, deri në qytetin e Vitisë, që ka të bëjë me riparimin e gypit kryesor të ujësjellësit nga burimet e ujit në gjatësi prej 10 km.
Përmes këtij gypi furnizohet qyteti i Vitisë dhe fshatrat përreth, por që kjo do të përfshijë edhe fshatrat Stubëll e Epërme, Smirë dhe Vërban. Kryetari i komunës Sokol Haliti, është shprehur se realizimi I këtij projekti ka një rëndësi të madhe dhe jetike për qytetarët e komunës së Vitisë, respektivisht të fshatrave që furnizohen me ujë nga burimet e Letnicës, por edhe për kompaninë “Hidromorava”, pasi që gypi kryesor i ujësjellësit ka shkaktuar humbje të madhe të ujit.
Programi mbështetës për FPU (Furnizim me Ujë të Pijshëm dhe kanalizim në zonat rurale) faza e pestë, ka për qëllim që të sigurojë furnizimin me ujë të pijshëm të sigurt dhe infrastrukturë sanitare në komunitetet rurale.
Me realizimin e këtij projekti, synohet edhe furnizim i qëndrueshëm me ujë të pijshëm e pa ndërprerje për banorët.