Subjekti më i ri politik në Preshevë, Alternativa për Ndryshim si dhe ai më vjetri, Partia për Veprim Demokratik, kanë nënshkruar të martën marrëveshjen parimore për qeverisje të përbashkët. Zyrtarët e këtyre dy partive politike shqiptare nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje e kanë vlerësuar një akt shumë i rëndësishëm për rrjedhat e mëtutjeshme në Komunë të Preshevës.
“Marrëveshja parimore të cilën e kemi nënshkruar jam i bindur se do të jetë garanci për një qeverisje të mirë, krejt ndryshe nga ajo që pamë gati për 11 vite” u shpreh kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, raporton Titulli.com.
Ai premtoi se qeverisja e re do të ketë transparencë, fillimisht në përpilimin dhe ekzekutimin e buxhetit, në ruajtjen e pasurisë komunale dhe transparencë në çdo proces që do të zhvillohet në kuadër të pushtetit lokal.
“Të gjithë ato manipulime, keq bërje, nepotizëm (punësime familjare) që është tepruar dhe është jashtë çdo kufiri, me këtë koalicion do të stopohen”, u shpreh Halimi.
Nënshkrimin e marrëveshjes e ka përshëndetur edhe kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi.
“Sot është një ditë historike, një ditë e kthesës së madhe të Luginës së Preshevës në tërësi ndaj një politikë bërjes e cila është shumë më evropiane, e cila nuk ka qenë më herët”, u shpreh Arifi.
Drejtuesi i Alternativës theksoi se kjo ditë është gëzim për gjithë popullatën e cila është liruar nga një pushtet lokal i cili ka qenë ngulfatës duke mos mund të zhvillohet komuna jonë, shoqëria, e me theks të veçantë rinia.
“Falënderojë zotri Riza Halimin për mirëkuptimin shumë të shpejtë për parimet kryesore të kësaj marrëveshje e cila në thelb ka depolitizimin e shoqërisë”, theksoi kryetari i Alternativës.
Arifi, nënvizoi se pas kësaj marrëveshje tani do të reflektohet duke krijuar një paqe dhe mirëqenie shoqërore dhe sociale duke i bashkangjitur edhe zhvillimin ekonomik.
“Mendojmë se kemi me qenë një komunë e cila në të ardhmen ka me konkurru me komunat tjera në Evropë”, u shpreh Shqiprim Arifi, raporton Titulli.com.
Marrëveshja e sotme për bashkëqeverisje me Preshevën, e nënshkruar në prezencë të zyrtarëve të dy subjekteve politike është arritur në kohë rekord, vetëm 48 orë pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet lokale në Luginë të Preshevës, të mbajtura më 24 prill.
Duhet theksuar se dy subjektet në këtë mandat katërvjeçar do të kenë 21 ulëse në parlamentin lokal nga 38 sa janë gjithsejtë, respektivisht 11 këshilltarë Alternativa për Ndryshim dhe 10 Partia për Veprim Demokratik.
Si pasojë e kësaj marrëveshje, Partia Demokratike Shqiptare, me kryetarin e saj Ragmi Mustafa do të mbetet në opozitë, ndërsa në Kuvendin Komunal do të përfaqësohet nga 14 këshilltarë.
Bashkimi Demokratik i Luginës në këtë përbërje të re të Kuvendit Komunal në Preshevës ka siguruar dy vende, kurse Unioni Demokratik Shqiptar do të ketë një ulëse.
Duhet theksuar se pas marrëveshjes së koalicionit të nënshkruar në mes Alternativës dhe PVD-së nuk janë dhënë detaje mbi ndarjen e posteve qeverisëse, mirëpo jozyrtarisht mësohet se Shqiprim Arifi do të jetë kryetari i ri i Komunës së Preshevës, kurse kryetarja e PVD-së dega në Preshevë, Ardita Sinani, do ta drejtojë Kuvendin Komunal .