Në konferencën rajonale “Të bashkuar kundër dhunës në familje në Ballkanin Perëndimor-bashkëpunim rajonal dhe mbështetje për strehimoret për viktimat e dhunës në familje”” të mbajtur në Shkup, në emër të kryetarit Alban Hyseni, Komunën e Gjilanit e kanë përfaqësuar nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, bashkë me zyrtaren e barazisë gjinore Linditë Salihu.
Ajo tregoi se më 31 tetor dhe 1 nëntor, në Shkup, u zhvillua konferenca rajonale për të adresuar sfidat e mbështetjes për viktimat e dhunës në familje.
Sipas saj projekti “Të bashkuar kundër dhunës në familje” synon të rrisë kapacitetet e strehimoreve dhe të mbështes viktimat për një të ardhme më të sigurt.
Kjo iniciativë, e mbështetur nga Qeveria e Gjermanisë, do të kontribuojë në forcimin e shërbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Motoja e kësaj konference sipas nënkryetares së Komunës së Gjilanit ishte “Së bashku, për një rajon pa dhunë”.
Projekti synon të kontribuojë në bashkëpunimin rajonal dhe të rrisë sigurinë për viktimat e dhunës në familje duke mbështetur strehimoret në 11 komuna të Ballkanit Perëndimor. /2LONLINE/