“Takova përfaqësuesit e Shoqatës së Transportuesve “Anamorava” dhe menaxhmentin e Stacionit të Autobusëve, ku diskutuam për përgjegjësitë të cilat na takojnë dhe arritjen e një bashkërendimi të qëndrimeve tona. Po punohet që t’i harmonizojmë qëndrimet, në mënyrë të tillë që edhe pasojat e pandemisë të jenë sa më të vogla”, ka bërë me dije, Arbër Ismajli, nënkryetar i komunës së Gjilanit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Sipas tij, ai ua ka konfirmuar Shoqatës së Transportuesve “Anamorava”, që Inspektorët Komunal, bashkë me Policinë e Republikës, janë në zbatim të planit operativ për taks-it ilegal.
Ismajli tha se edhe vendimet e fundit të Qeverisë së Republikës, duhet të jenë më të harmonizuara në relacion të njëjtë me të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë, sepse nuk është e drejtë që disa biznese të përmbysen ekonomikisht, nga pamundësia për të operuar, si pasojë e masave të ndërmarra nga qeveria.
“Problemet e mëdha socio-ekonomike të vjeshtës së vonshme, mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në rrezikun e operimit të bizneseve vendore, si pasojë e masave të ngutshme nga ana e qeverisë. Andaj, si vend, na duhet një analizë më e thukët e situatës, në një relacion i cili do ta baraspeshonte zvogëlimin e përhapjes së pandemisë me zvogëlimin e masave të ndërmarra”, ka thënë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli. /2LONLINE.com/