Politikanët e Kosovës dhe dialogu

Politikanët e Kosovës dhe dialogu

Kosova nuk bënë të mos shkojë në bisedimet politike me Serbinë, qoftë kur e thërrasin SHBA-të, qoftë kur e thërret BE-ja me Gjermaninë dhe Francën.

Shkruan: Arsim Kastrati    –    2LONLINE.com

Kosova nuk mund ta diktojë agjendën e këtyre bisedimeve, atë e bëjnë instancat e fuqishme të politikës ndërkombëtare të cilat i udhëheqin këto bisedime.

BE-ja dhe SHBA-të insistojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në mes Serbisë dhe Kosovës për shkak se duan ta stabilizojnë politikisht Ballkanin, duke e shmangur në këtë mënyrë përzierjen e mëtejshme të fuqive politiko-ushtarake jashtë evropiane si dhe duke e zhvilluar ekonominë dhe demokracinë e popujve të këtij territori të Evropës.

Është tragjikomike kur dëgjon politikanët tanë duke e ngritur zërin nëpër studio televizive teksa bëjnë deklarata histerike ndaj institucioneve dhe politikanëve të BE-së, duke harruar një mori faktesh që kanë të bëjnë me çështjen e dialogut me Serbinë.

Harrohet fakti se nuk mund ti refuzojmë bisedimet, se nuk e përcaktojmë agjendën e tyre dhe se jemi faktori më i dobët në kuadrin e tyre.

Atë që duhet ta bëjnë politikanët e Kosovës është krijimi i një uniteti politik optimal karshi këtij dialogu, në mënyrë që të njëjtit ti përgjigjemi në mënyrë sa më adekuate.

Deri sa politikanët e Kosovës ta ruajnë dhe ta zhvillojnë shtetin e tyre dhe të ndërtojnë një konsensus politik karshi çdo sfide të rëndësishme politike siç është dialogu me Serbinë, atëherë edhe rreziqet eventuale që mund të shfaqen lidhur me ballafaqimin me këto sfida do të jenë më të vogla dhe më të evitueshme.

Të tjerët edhe mund të duan të na dëmtojnë por nuk do t’ia dalin, nëse për çështje të rëndësishme shtetërore shumica e politikanëve të Kosovës janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe arrijnë të merren vesh në mes vete.

Kur është vështirë duhet të qëndrojmë, çdo gjë do të kalojë, vështirësitë nuk janë të gjithmonshme, as pandemia, as sherri i Serbisë e as keq qeverisjet e shtetit më të ri në Evropë. Vetëm ai qoftë me shëndet e jetoftë sa malet!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE