Petrit Ajeti është emëruar sot Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), e këtij lajmi iu është gëzuar nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili për Portalin 2LONLINE.com, u shpreh se lajmi për emërimin në krye të AKI-së, të Petrit Ajeti, na bëri krenar dhe të lumtur për përfaqësim dhe delegim të kompetencave të institucionit më të lartë të sigurisë shtetërore, tek një profesionist i sojit të vet në fushën e sigurisë.
“Përveç tjerash, për herë të parë, Gjilanit i besohet në udhëheqje një institucion më i lartë shtetëror siç është institucioni i AKI-së. Petrit Ajeti, mbi të gjitha është një institucionalist, i cili e do vendin e tij. Rrjedh prej një familje patriotesh e atdhetaresh. Vëllai i tij, Alban Ajeti, u flijua për këtë Republike, sot, 22 vite më parë”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, e rëndësishme është, që ky institucion, ka në krye një njeri të përgatitur profesionalisht, të edukuar e punëtor.
“Njeri i cili ka dhenë shembuj të mëdha në institucione të shtetit, në pozita të ndryshme, sesi punohet me nder dhe privilegj. Kam besimin e fortë, që kjo shtyllë kryesore e sigurisë së shtetit, do të udhëhiqet faqebardhë nga një njeri me integritet të lartë siç është Petrit Ajeti”, ka thënë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli. /2LONLINE.com/