Nën hijen e diellit

Nën hijen e diellit

Sabit RRUSTEMI

NËN HIJEN E DIELLIT

( Si nderim për fshatin Llofcë dhe martirët e saj të lirisë, në 20 vjetorin e çlirimit nga pushtimi serb )

NATA E PARË NË LLOFCËN E VITIT 1999

Llofca mbeti nën hijen e diellit
me dyzet e sa shtëpi
e një saç plumbash
përmbi krye

E hapur zemrash
për tetëqind e sa të dëbuar
me kobra rrethuar

E sheh si i bie nata sipër
si e çel mëngjesi
nuk e di

Bacë Mehmeti
(i lumi ai për veti)
fjalëqetë e buzagaz
(se ku e gjente)
një sy gjumë na e dëshiron
vetëm një sy

Tjetrin zgjuar mban

Sikur na thotë
shtiremi se flemë

Nëpër kllapi
një zog i zi
këndon mbi çati

Me fat zbardhtë dita e re
ata zogj nëpër kaltërsi
Na sjellshin liri

Luten pazëshëm buzët tona
me sy e shpresë qielli

(31 mars, 2012)

TRE PRILL, NJËMIJENËNTËQINDENËNTËDHJETENËNTË

Askush s’pyet në fjetët hiç
ç’ëndrra patë
a cila ditë është sot

Veç a jeni mirë

Të tjerat bluhen e ruhen
në memorien e secilit

Për ditën tjetër

Me emër të zotit do ta presim
lëkundet vendit
Mehmet Llofca

Mes gishtash dredh cigaren e radhës
të parën e sos deri në shpuzë

Po ju kah i keni sytë
pa një pa dy na pyet
tek lidhim këpucët

Do të dalim pak
për të parë çka ka nëpër Karadak

Balli zë i rrudhet nga pak


E di unë ç’i bluan rradakja, tash
thotë Shabi Shoqi
tek kalojmë përpjetëzën
kurrizit të maleve

Te Guri i Magjerës
dy fjalë i ndërrojmë me Xhelë Katërqindtin
e te Guri e lëmë

Pa fjalë Ilincën kalojmë
kur marrim në të djathtë

Te shkolla e re
një kolonë të dëbuarish
na lë pa frymë

Flokë e vetulla ende me brymë
e këmbët kah sytë
lutjet tona as i dëgjojnë

Ngricat e natës shkrihen mbi ne
si lot pikojnë
e na shpojnë
m’u në zemër

Po ç’ditë është sot
që ta shënojmë

harrojmë
……
(3 prill, 2012)

NATA E FUNDIT NË LLOFCË
(Ishte 4 prill, 1999)

I fikëm llambat
e i ndezëm sytë

Nata veshur prej reshë
s’na la t’ia shohim
fytyrën e prerë hënës

Një fluturake
si murmurimë e largët ëndrre
endej mbi shpresat tona

A do ta këput lakun
kometë e shkëputur me bisht drite
kurtheve të një prite

Nuk po këndohet mirë

Na erdhën skaj dere
me krisma në Magjere

Flakë s’pamë prej kodrës
sall tym
dhe një erëshkrumb

me emër të Zotit
nesër po lëvizim

Nata e fundit në Llofcë
bie vonë
e ikën herët

Pas shpirtit të ëmbël

(4 prill, 2012)

PESË PRILL 1999

Bishat e çartura
u lëshuan tatëpjetë kodrës
me ulërimë

Mbi grumbuj të dëbuarish
braktisur shtëpish

Te Rupinat
Me agime lulesh
mëngjesi kish gdhirë
Asnjë pëllëmbë hapësire
nuk ish e lirë


Të dehur e të etur për gjak
gjuanin pa cak
më pesë prill në Karadak

Grumbuj dashurish të përzëna
strehë kërkonin
nën fleta jeshile lulesh të bardha

Zverdhur fytyrash
nuk i nxinte shtegu
as përroi

Një fëmijë
mbi supet e një prindi
këndonte e thërriste
“A vritet pafajësia”

Në anën tjetër të kodrës
nëpër gjakun e Pesë Martirëve
nisur ish liria

(5 prill, 2012)

DHEMBJA E PAVARROSUR MBETI

Diell i ftohtë përbiron retë
grykës së një mëngjesi
për t’i larë lotët
në Pogragjë

Dhe lumi prej dhembjes shtang
një pikë ujë për sytë tanë
nuk i mbeti

Shtratit kullojnë plagë

Lajmi i mirë
ka mërguar gjetkë
dhe ajo këngë

Tetë varre të reja
hapen e mbulohen
më gjashtë prill, 1999

Po dhembja
e pavarrosur mbeti

(6 prill, 2012)

 

KOMENTE