Sot një numër i madh i vizitorëve përcollën kadetët e Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë realizmit të ushtrimit fushor “Kampi veror 2017” mbajtur në fshatin malor Zhegoc të Komunës së Gjilanit.
Fillimisht komandanti i QSU-së, majori Avni Kliqina, i njoftoi të pranishmit me programin e ushtrimin fushor të cilin kadetët e FSK-së, po e realizojnë në “Kampin Veror 2017”. Ushtrim Fushor “Kampi veror 2017” ka filluar së realizuari më 5 qershor dhe pritet të përfundojë me 18 qershor 2017, në të cilin ushtrim janë të përfshirë të gjithë kadetët e QSU-së, të cilët kanë rastin që të dëshmojnë dhe të vlerësojnë njohuritë dhe shkathtësitë e fituara si në aspektin individual po ashtu edhe në atë ekiporë.
Për të përcjellë nga afër demonstrimin e kadetëve të QSU-së, të pranishëm ishin: zëvendës ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK), z. Muhamet Latifi, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT) gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, komandanti i Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) gjeneral brigade Enver Cikaqi, zëvendësdrejtori i NALT –it (Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s Mark Theobald, atasheu ushtarak i SHBA-ve Xhefri Fisher, komandanti i Kampit Bondstill, koloneli Korvin Lusk, si dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe këshilltarë ushtarak të NALT-it dhe kampit Bondstill të ushtrisë së SHBA-ve.
I kënaqur nga bashkëpunimi dhe realizmi i këtij ushtrimi u shprehë zëvendës ministri i MFSK-së, z. Muhamet Latifi i cili pos tjerash tha: “Ky ishte një ushtrim vlerësues për kadetët e vitit të katërt, të cilët e kanë edhe aktivitet vlerësimi dhe testimit për atë çka kanë mësuar për katër vite. Na gëzon fakti se këtë testim të gjithë kadetët e kanë kaluar me vlerësim të shkëlqyeshëm. Ky nivel i përgatitjes së FSK-së është dëshmuar edhe në të gjitha pjesëmarrjet dhe garat ndërkombëtare ku kadetët e FSK-së kanë zënë vendet e para. Këto ditë ka përfunduar edhe konkursi për rekrutimin e kadetëve të rinj, dhe ka pasur një numër të madh të aplikuesve, gjë që tregon se vullneti dhe dëshira e rinisë së Kosovës për të bërë karrierë në FSK është i madh”.
Ndërsa, gjenerali Gëzim Hazrolli duke vlerësuar lartë ushtrimin fushor ndër të tjera tha se: “Ky ushtrim vjetor ka për qëllim dhe është mundësi që secili kadetë të vlerësohet veç e veç në shumë fusha të trajnimit dhe më i rëndësishme është që të vihen në dukje dhe të vlerësohen në praktik aftësitë e lidershipit të kadetëve që kanë mësuar dhe zbatimi i tyre në kushtet terrenit”.
Kurse komandanti i Kampit Bonsdteell, koloneli Korvin Lusk, u shpreh për ushtrimin se; “Kjo që pamë ishte një ushtrim i përgatitur mirë, ishte një demonstrim i mirë i kadetëve për lidership të fortë”.
Gjatë këtyre 15 ditëve të qëndrimit të kadetëve në terren, instruktorët dhe udhëheqësit e tyre patën mundësi që të bëjnë vlerësimin e aftësive taktike të kadetëve në planifikim, përgatitje dhe ekzekutim të operacioneve luftarake, ndërsa kadetët patën mundësinë të praktikojnë në terren operacione luftarake të mësuara gjatë studimeve.
“Kampi veror 2017” u realizua në bazë të planit vjetor të Qendrës së Studimeve Universitare për kamping dhe realizimin e të gjitha ushtrimeve të përbashkëta me të gjithë kadetët e QSU-së.